Vllaznia në këto momente është një kantier ndërtimi përsa i përket formatimit të skuadrës për sezonin e ri. Lëvizjet kanë qenë të shumta në kampin shkodran në këto javë, ku ka pasur shumë largime e po ashtu disa afrime. Nga ekipi janë larguar disa futbollistë me peshë në sezonet e fundit, duke afruar të tjerë që do përpiqen të japin më të mirën për kuqeblutë.
Por duket se repartet e kuqebluve po plotësohen e sidomos ai i prapavijës. Afrimet e Dragoshit, Stojanovic dhe Cheshmedjiev duket se e kanë ‘blinduar’ repartin defensive. Megjithatë nuk mund të përjashtohet edhe afrimi i një mbrojtësi tjetër, ku në ditët e fundit ka qarkulluar shumë emri i Egzon Belices.
Megjithatë ka ende punë për të kompletuar gjithë skuadrën, ku largimi i Zogovic duket se e bën të domosdoshme kërkimin e një tjetër portieri. E po ashtu në mesfushë kërkohet një mesfushor, që mund të bëjë diferencën.
Ku për repartin e mesfushës po pritet ende edhe përgjigjia e Fjoart Jonuzit nëse do e vijojë bashkëpunimin apo jo me Vllazninë. Maja e sulmit aktualisht përfaqësohet vetëm nga Bekim Balaj, ku për shtatlartin duhet edhe një zëvendësues ose një partner.
Rol që mund ta kryejë edhe Gruda në raste të caktuata, pavarësisht se ish-futbollisiti i Teutës aktivizohet më tepër në krah. Në këto ditë priten edhe lëvizjet e fundit të drejtuesve që do kërkojnë të formojnë skuadrën e duhur para ndeshjeve të Conference League.
Endri ÇINARI