Para dy sezonesh, Vllaznia mund të shpallej kampione për herë të parë pas plot 20-vitesh, por një gjë e tillë nuk u bë realitet. Vllaznia e sezonit 2020-2021 kishte pesë kampionë në formacionin titullar. Kështu, bëhet fjalë për Eni Imamin, Mevlan Adilin, Milos Kaleziç, Albion Avdijajn dhe Ismael Dunga.
Ndërkohë, edhe kjo 11-she e deritanishme e Vllaznisë ka pesë ish-kampionë në gjirin e vet, pikërisht Darko Bulatoviç, Lorik Boshnjaku, Esat Mala, Ante Aralica dhe Liridon Latifi. Deri më tani në këtë sezon, asnjëri nuk ka qenë titullar fiks i formacionit për shkaqe dëmtimesh apo zgjedhjesh teknike të trajnerit Mirel Josa.
Në fakt, disi më tepër se të tjerët kanë luajtur Mala dhe Bulatoviç, teksa Boshnjaku dhe Latifi kanë munguar kryesisht për shkaqe dëmtimesh. Këtu, Aralica mund të bëjë përjashtim, pasi kroatit ia ka zënë vendin një sulmues si Kaina.
Megjithatë, Vllaznia e këtij sezoni për të arritur titullin, vuan akoma shumë dobësi, që një skuadër pretendente nuk duhet t’i tregojë. Në ndeshjet e para në këtë sezon, shkodranët kanë treguar se nuk e zotërojnë akoma pjekurinë dhe mendësinë e nevojshme minimalisht për të luftuar dhëmb për dhëmb me Tiranën apo Partizanin për titullin kampion, aq i dëshiruar në kampin kuqeblu.
Para se të niste sezoni, vështirë se e kishim pritur një ecuri kaq negative të Vllaznisë që në start, duke u nisur nga fakti që ekipi kishte synime madhore, por nga ana tjetër duhet thënë se edhe futbollistët që u morën, kërkojnë kohën e vet për të ardhur në formën e pritshme.
Kështu, duke u nisur nga kjo, mund të themi se Vllaznia nuk ia ka dalë të bëjë befasinë, njëjtë si skuadra e dy sezoneve më parë, e cila ishte një skuadër me profil të ulët, pa yje, por që në fund për çështje golash nuk ia dolën të shpallen kampion.
Maringlen ZHIVANI