Vllaznia deri më sot nuk ka asnjë lëvizje sa I takon ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri me të cilën do të nisë misionin e saj për ngjitjen në Superligë.

Ende askush nuk mund të thotë me siguri se kush do të jenë futbollistët që do ta përfaqësojnë atë dhe po ashtu edhe se kush do të jetë trajneri I saj.

Një situatë e tillë pret natyrisht përgjigje sa më shpejt por në fakt, një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve aktualë të saj, nuk janë duke pritur drejtuesit.

Ata kanë nisur bisedimet me klubet e tjera dhe po shohin mundësinë për t’u larguar nga Shkodra. Futbollisti I rradhës që përflitet se do të veprojë kështu është shqiptaro- maqedonasi Sedat Berisha.

Mbrojtësi shtatëlartë ndonëse ka kontratë me kuqeblutë deri në fund të këtij viti, duket se nuk ka dëshirë të vazhdojë të luajë me me ta edhe në kategorinë e parë.

Për rrjedhojë, mësohet të ketë hyrë në bisedime me Tiranën, skuadër kjo që kërkon përforcime në mbrojtje. Për Berishën tashmë pritet vetëm akordi me drejtuesit e klubit shkodran për prishjen e kontratës.

Të njëjtën gjë në fakt po pret të bëjë edhe Erjon Vucaj apo dhe ndonjë futbollist tjetër.Në Shkodër në fakt deri në ditët e para të korrikut nuk pritet të ketë asnjë lëvizje.

Pas caktimit të drejtuesve të rinj, do të emërohet edhe trajneri I ri dhe ai pastaj do të përcaktojë listën e futbollistëve me të cilët do të nisë punën.

Vllaznia e ka detyrë rikthimin në Superligë brenda sezonit të ardhshëm por kjo nuk do të jetë krejt e lehtë. Dhe prandaj shkodranët duhet ta marrin shumë seriozisht këtë gjë.

www.shkodrasport.com