Prej disa ditës ka startuar merkatoja e Vllaznisë dhe si kandidatë të mundshëm për të veshur fanellën kuqeblu janë përmendur mbi 30 futbollistë. Në këtë mori emrash, emri “më I dashur” për tifozët natyrisht që është ai I Klodian Duros. Elbasanasi ka luajtur edhe më parë në Shkodër dhe pikërisht tek Vllaznia ka patur shkëlqimin e tij të madh. Ka veshur fanellën kuqeblu në janarin e vitit 2000, ka luajtur 6 muajt e parë aty për të nisur pastaj sezonin 2000-01 duke sjellë edhe befasinë e madhe. Sëbashku me Vioresin Sinanin dhe Edi Martinin, I dhuruan skuadrës shkodrane titullin kampion atë sezon. Ka ndodhur 11 vite më parë dhe që atëherëë “nuk ka më gëzim” për tifozët kuqeblu. Ja pse dalja në skenë e emrit të Klodian Duros për t’u rikthyer sërish tek Vllaznia është pritur mjaft mirë tek ata. Lajmi I mirë është komentuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe një nga komentet më të bukura që është bërë në rrjetet sociale ka qenë: “Ah, po, kjo do ishte goditja e madhe e merkatos së Vllaznisë”. E kishte fjalën për këtë futbollist. Drejtuesit kuqeblu në fakt e kanë pranuar se janë në kontakte me këtë futbollist. Në fakt, ende nuk është shumë e qartë se ku do luajë ai nëse vjen. Pak ditë më parë, drejtuesit e klubit prezantuan tre blerjet e para, ndër të cilët dy ishin të qendrës së mesfushës, Nallbani dhe Deliç. Me këtë të fundit si organizator, vendi I Duros në qendër duket I zënë edhe për moshën që ka malazezi. Nga ana tjetër, Vllaznia thuajse ka mbyllur gjithçka me rumunin Dragoi që luan në krahun e djathtë të mesfushës, aty ku elbasanasi ka luajtur me kombëtaren. Edhe këtu pra nuk duket se ka shanse që të luajë ai. E vetmja mundësi mbase është ajo e sulmuesit të dytë. Mosha tashmë është prezente tek Duro dhe vetëm me eksperiencën e tij mund të ndihmojë. Mbase për këtë duan ta marrin krerët e klubit shkodran. Këta të fundit morën edhe kosovarin Nallbani për të plotësuar dëshirën e tifozëve që e kishin idhull të tyre. Ndoshta mund të marrin edhe Klodian Duron me këtë motivacion, por me ndryshimin se ardhja e këtij futbollisti shihet si mundësia e madhe e Vllaznisë për t’u rikthyer sërish tek titulli kampion, aty ku  e la ai 11 vjet më parë. Bisedimet me këtë futbollist vazhdojnë. Tek Tirana atij duket se po I tregojnë derën ngaqë trajneri Rubio nuk e ka në planet e tij. Tek Vllaznia në fakt e ka derën e hapur gjithnjë. Me shumë siguri edhe nga ana financiare palët do merren vesh shpejt.  Marëveshja mund të mbyllet menjëherë pas ndeshjeve të Kupave të Europës. Vllaznia në këtë mënyrë duket se po fillon të marrë formën e duhur. Lojtarët po vijnë dhe tashmë janë gati edhe goditjet e mëdha. Ajo e Klodian Duros duket më e madhja, sepse është ëndërra e madhe e tifozëve të kësaj skuadre për ta parë këtë futbollist të veshur edhe njëherë me fanellën kuqeblu. Në fakt ky futbollist ka qenë “pengu” I madh edhe I ish-presidentit Valter Fushaj që në 5 vitet e drejtimit të tij, ndonëse tentoi disa herë ta marrë, nuk ia arriti dot asnjëherë. Këtë herë mbase kjo realizohet.

Gjergj KOLA