Vllaznia është një nga skuadrat që ka prapavijën më solide në Superiore dhe kjo duket qartë edhe nga golat e pësuar. Kontigjenti i lojtarëve tashmë është thuajse i plotë dhe ka vetëm ndonjë shqetësim të vogël sa i takon gjendjen fizike të një apo dy lojtarëve megjithatë trajneri Jonuz nuk e ka shumë mendjen tek to.
Formacioni i parë tashmë ka më shumë alternativa dhe për rrjedhojë ndaj Kukësit pritet që të hedhë në fushë 11-shen më të mirë.
Vllaznia kuptohet që do të synojë të mos dalë pa pikë nga ky ballafaqim i vlefshëm për javën e shtatë të Kategorisë Superiore pavarësisht se përballë do të ketë një nga ekipet me sulmin më të mirë të kampionatit siç është Kukësi. Megjithatë kjo nuk duket ndonjë problem sepse kuqeblutë aktualisht kanë mbrojtjen më të mirë.
Skuadra ka pësuar vetëm dy gola deri më tani dhe madje edhe ato ndoshta në mënyrë aksidentale në sfidën ndaj Tiranës. Në ndeshjet e tjera ky repart, por edhe portieri Sherri janë paraqitur në lartësinë e duhur dhe shpresohet shumë që kjo ecuri të vazhdojë edhe më tej sepse vetëm në këtë mënyrë skuadra mund të rritet në klasifikim./vipsport/