Vllaznia në futboll për femra po mbyll një tjetër vit të suksesshëm, madje 2019 mund të thuhet me plot gojën se ka qenë më i suksesshmi në historinë e saj 6 vjeçare që nga krijimi i saj.
Kjo ngaqë përveç trofeve të zakonshëm kombëtar që fiton çdo vit, sivjet arriti suksesin historik, kalimin për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të femrave në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës. Keto arritje padyshim qe e bejne kete ekip me te mirin e SK Vlaznia per kete vit.
Një sukses ky i jashtëzakonshëm sepse ekip shkodran e pa veten në mes 32 skuadrave më të mira të kontinentit, madje edhe në turin e dytë përballë ekipit danez të Fortunës bëri paraqitje shumë dinjitoze. Një meritë kjo e jashtëzakonshme e gjithë ekipit, vajzave dhe stafit teknik, por në veçanti e presidentit Lazer Matija, njeriut që jo vetëm investoi por edhe gjeti kyçin e suksesit për të arritur deri këtu.
Kalimi i turit të parë në grupin me katër skuadra teksa Vllaznia u rendit e para me dy fitore dhe një barazim, padyshim që është një sukses i madh. Sakaq, në futbollin shqiptar ky ekip nuk ka konkurrent.
E mbyll vitin me të gjitha ndeshjet e fituara, si në kupë ashtu edhe në kampionat duke u kurorëzuar gjatë 2019-ës me titulin e gjashtë kampion dhe kupën e 6-të të Shqipërisë. Por ndërkohë, ai duket në rrugë të mbarë që në sezonin aktual këto dy trofe t’i çojë në shifrat 7.
Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka kryeson kampionatin me pesë pikë e shkëputur nga Apolonia e vendit të dytë dhe padyshim që është pretendentja kryesore për titullin kampion. Një ekip model, i ndërtuar për të qenë i tillë dhe padiskutim që ofron garanci për rezultate të tilla edhe në të ardhmen.
www.shkodrasport.com