Me fitoren e arritur pasditen e sotme ndaj Apolonisë me rezultatin 2-0, Vllaznia për femra është matematikisht kampione e Shqipërisë dy javë përfundimit të kampionatit. Kjo ngaqë diferenca me fierakët që mbajnë vendin e dytë në renditje tashmë ka shkuar në dhjetë pikë dhe kuptohet që nuk mund të arrihet dot. Takimi i sotëm është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” sepse vetë FSHF i ka dhënë rëndësinë e duhur kësaj përballje në mes dy ekipeve më të mira të vendit.

Pjesa e parë e ndeshjes nuk është ngjitur në lartësinë e duhur dhe vajzat kuqeblu nuk kanë arritur dot të shprehen ashtu si duhet në fushën e lojës. Në të dytën gjërat kanë ndryshuar. Në minutën e 68-të do ishte kapitenia Uendi Muja që do të zhbllokonte rezultatin ndërsa ai i dyti dhe i fundit i ndeshjes është shënuar në minutën e 87-të nga Esmeralda Franja. Përfundimisht 2-0 dhe Vllaznia arrin fitoren e 16-të në po kaq ndeshje kampionati duke zyrtarizuar në këtë mënyrë edhe titullin e katërt kampion rradhazi për të. Një sukses mëse i merituar i këtij ekipi të ndërtuar me shumë kujdes nga presidenti Lazer Matija që vazdon të mos ketë rivalë sërish në kampionatin shqiptar.

 

© shkodrasport.com