Ditën e premte do të mblidhet Komisioni i Disiplinës së UEFA-s për të marrë në shqyrtim ankesën e ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë në lidhje me aktivizimin e një futbollisteje të pafederuar nga ana e ekipit grek PAOK në ndeshjet e vlefshme për LIgën e Kampioneve. Këto ndeshje u zhvilluan pak ditë më parë dhe në përfundim të tyre, vajzat greke zunë vendin e parë në grup duke u kualifikuar për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Në rast se UEFA e merr për bazë ankesën e ekipit shkodran, do të thotë që PAOK do të penalizohet duke u skualifikuar dhe në vend të tij në turin tjetër do të kalojë Vllaznia si skuadra e renditur në vendin e dytë në grup. Në Shkodër kanë besim se institucioni i futbollit europian do të vendosë drejtësi në këtë drejtim sepse ndryshe nuk do të kishte kuptim. Të aktivizosh një futbolliste tjetër me një emër tjetër, kjo është një gjë shumë e rëndë dhe prandaj pritet ndëshkimi i ekipit grek. Nga sa mësohet, përveç ankesës së Vllaznisë, të njëjtën gjë ka bërë në UEFA edhe ekipi Betembourg i Luksemburgut sepse edhe në ndeshjen ndaj tij ka ndodhur e njëjta situatë. Me dy ankesa nga këto dy ekipe, padyshim që Komisioni i Disiplinës do ta ketë jo shumë të vështirë të marrë vendimin e duhur, nisur edhe nga raporti që ka bërë delegati i UEFA-s në këto ndeshje. Futbollistet shkodrane kanë në këtë mënyrë shansin e madh që të kualifikohen për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Shorti i këtij turi është hedhur tashmë dhe PAOK do të ndeshej me Spartën e Pragës. Në rast skualifikimi të grekeve, atëherë do të jetë Vllaznia që do të luajë ndaj çekeve në datat 4 dhe 11 tetor.
© shkodrasport.com