Futbollistet e Vllaznisë kalojnë edhe një tjetër pengesë dhe tashmë e shohin vetën vetëm dy hapa larg shpalljes kampion për herë të gjashtë rradhazi.

Pasditen e sotme ekipi shkodran ka pritur në “Reshit Rusi” Apoloninë e Fierit, një nga ekipet më të mira të vendit megjithatë edhe ndaj tij fitorja nuk ka qenë shumë e vështirë për t’u arritur.

Rezultati është zhbllokuar që në minutën e 2-të me anë të sulmuese Marsela Djegsina. Goli i shënuar prej saj i ka dhënë mundësinë Megi Doçit që të shënonte edhe të dytin katër minuta më vonë. Ndërkohë që ’36 do të ishte mbrojtësja Sara Maliqi që do të shënonte edhe të tretin dhe pjesa e parë kësisoj do të mbyllej me shifrat 3-0.

Në të dytën do të ishte Esmeralda Franja që do të shënonte sërish. Por seria e golave për vajzat kuqeblu nuk do të mbyllej këtu. Në tre minutat e fundit të ndeshje, mesfushorja Luçie Gjini do të shënonte edhe dy gola të tjerë duke kompletuar kësisoj fitoren e thellë 6-0 të tyre.

Vllaznia me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 60 pikëve pas 20 fitoreve të arritura në po kaq ndeshje të luajtura dhe kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të kampionatit, titulli i gjashtë thuajse është formalitet për të.
© shkodrasport.com