Vllaznia në futboll për femra ka vijuar me serinë e fitoreve në kampionat. Mesditën e së shtunës ajo ka arritur fitoren e rradhës kundër njërit prej ekipeve rivale, pikërisht Apolonisë së Fierit. Në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin 5-0 ndaj kundërshtareve të tyre.
Pjesa e parë ka patur disi më shumë rivalitet megjithatë rezultati është zhbllokuar shumë shpejt. Që në minutën e 4-të, ka qenë mbrojtësja e majtë Sara Maliqi ajo që ka zhbllokuar shifrat. Ndërkohë, në minutën e 30-të, ka qenë Franja që ka dyfishuar shifrat. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-0. Në fillimin e së dytës ka qenë Megi Doçi që ka shënuar golin e tretë ndërsa pak minuta më vonë, goli i katërt ka patur për autore Luçije Gjinin. Pak përpara përfundimit të ndeshjes, ka qenë sërish Megi Doçi që ka shënuar edhe golin e pestë dhe të fundit të kësaj ndeshje. Vllaznia e femrave në këtë mënyrë ka fituar me rezultatin e thellë 5-0. Kjo ishte fitorja e katërt për këtë ekip që udhëheq renditjen me 12 pikë të arritura pas 4 fitoresh dhe kësisoj mban vendin e parë në renditje. Padyshim që vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka konsiderohen favorite kryesore për fitimin edhe të titullit të pestë kampion rradhazi. Apolonia është një nga rivalet e saj por në fakt, sot në fushë u panë edhe njëherë diferencat e mëdha që ekzistojnë në mes dy ekipeve. Vajzat kuqeblu vazhdojnë të jenë të pathyeshme dhe ky padyshim që është frut i investimit të bërë nga presidenti Lazer Matija prej vitesh.
© shkodrasport.com