Vllaznia në futboll për femra vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen në “UEFA Women Champions League”. Kështu, nën drejtimin e trajnerit Nikolin Leka, skuadra po stërvitet nga dy herë në ditë, paradite me ngarkesa fizike kryesisht në palestër me ushtrime aerobike, si edhe program atletik. Ndërkohë që, pasdite në fushën e blertë, duke punuar me topin në aspektin tekniko-taktik.
Ashtu si edhe në seancat e mëparshme, skuadrën vazhdon ta ndjekë prej së afërmi presidenti Lazër Matija, i cili pak ditë më parë realizoi edhe disa blerje të reja.
Blerje këto, që sipas vetë presidentit Matija, do të pasohen edhe me futbolliste të tjera cilësore, me qëllim përforcimin e skuadrës në prag të ndeshjeve europiane. Drejtuesit shfaqen të kënaqur me ecurinë e përgatitjeve të skuadrës, duke konfirmuar një “top formë” për grupin e sportisteve, që kanë në dispozicion.
Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës për turin e parë të Champions League në futboll për femra, e ka vendosur Vllazninë të luajë në grupin e 10-të eleminator, së bashku me kundërshtaret e saj, FK Breznica e Malit të Zi dhe Spartak Myjava e Sllovakisë, ndeshjet e së cilës do zhvillohen në Malin e Zi.
Maringlen ZHIVANI