Vllaznia në futboll për femra vazhdon serinë e fitoreve në kampionat teksa në ndeshjen e javës së 13-të, ka arritur të fitojë me rezultatin e thellë 10 me 0 ekipin e Skënderbeut të Korçës. Ndeshja e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është dominuar në të gjitha drejtimet nga vajzat shkodrane që nuk e kanë patur të vështirë ta fitojnë këtë ndeshje. Golin e parë të takimit e ka shënuar futbollisja më e mirë e këtij ekipi Megi Doçi në minutën e 15-të ndërkohë që në minutat e fundit të pjesës së parë do të ishte sulmuesja tjetër e kuqebluve Uendi Muja që ka shënuar tre gola njëri pas tjetrit.
45 minutat e para në këtë mënyrë do të mbylleshin me shifrat 4 me 0. Në të dytat, do të ishte e njëjta histori. Dyshja Doçi- Muja do të vazhdonte të shënonte dhe në fund të takimit është fiksuar rezultati i përgjithshëm 10 me 0 në favor të Vllaznisë ku Muja ka arritur të shënojë plot 6 gola në këtë takim ndërsa katër të tjerët mbajnë firmën e Doçit. Me këtë fitore ekipi shkodran është ngjitur në kuotën e 39 pikëve me 13 fitore të arritura në po kaq ndeshje të luajtura dhe me një golaverazh të shkëlqyer ndërkohë që ka krijuar një diferencë prej pesë pikësh me Apoloninën e vendit të dytë. Po në kuadrin e javës së 13-të edhe dy ekipet e tjera shkodrane pjesmarrëse në këtë kampionat, kanë arritur fitore. Kështu ekipi i Akademisë Ajaks ka fituar në Durrës ndaj Teutës vendase me rezultatin 3 me 2 ndërkohë që Juban Danja ka fituar me rezultatin e thellë 11 me 1 ndaj The Door. Kampionati i tetë kombëtar i futbollit të femrave do edhe pesë javë për të përfunduar megjithatë verdikti kryesor i tij, ai i skuadrës kampione, është thuajse i përfunduar. Vllaznia thjesht pret të kurorëzohet me titullin e katërt kampion rradhazi.