Një nga problemet e mëdha që ka patur Vllaznia gjatë gjithë këtyre viteve të fundit ka qenë mungesa e financimit aq sa duhet për të ndërtuar një ekip solid.

Ndonëse Bashkia Shkodër shtë munduar të bëjë maksimumin në këtë drejtim, nuk ia ka dalë. Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se klubi duhet të kalojë në duart e privatit sepse ndryshe do vazhdojë kjo situatë.

Por duket se paska edhe zgjidhje të tjera. Bashkëpunimi me klube të pasura mund të sjellë të ardhura në arkën e klubit. Një bashkëpunim që mund të vijë nga shitja e lojtarëve apo dhe forma të tjera dhe që mund të sjellë të ardhura në arkën e klubit.

Këtë gjë e pat paralajmëruar drejtori sportiv, turku Engin Firat që në prezantimin e tij para gazetarëve kur i pyetur në lidhje me borxhet e klubit, u pat shprehur:

“1 milionë euro borxhe Vllaznia? Nuk e di saktësisht situatën por nuk janë shumë. Sikur një lojtar të shesë ajo, mbyll gjithçka”. Shumëkush e moripër lojë.

Por sot, janë zbardhur më shumë detaje. Në raportin e publikuar nga vetë klubi, bëhet e ditur se një bashkëpunim i tillë me klube të huaja, është marrë shumë seriozisht.

“Edhe pse është e vështirë të shiten lojtarët nga Kategoria e pare, ne kemi filluar Marketingun.Për transfertat qëllimi ynë është që së pari të jenë Klube Ndërkombëtare, të hapur ndaj Botës dhe me kontakte ndërkombetare kudo.

Sigurisht, po të jemi sërish në Superligë, ne do të kemi më interes nga Klubet e tjera. Megjithatë që tani kemi filluar disa projekte. Për shembull bashkëpunimi me një Klub në Katar.

Dhe të tjera bashkëpunime rreth Botës do të vijojnë.Gjithashtu shpresojmë në këtë mënyre të kemi sponsor të huaj”- shkruhet në faqen e klubit.

Po ashtu, është bërë publik edhe një letër-këmbim me klubin Muaither të Katarit që ka shprehur dëshirën për të bashkëpunuar.

Po kush është ky klub? Në fakt nuk ka ndonjë emër të madh në futbollin e këtij vendi, është krijuar vetëm në vitin 1996. Ka marrë pjesë kryesisht në kategorinë e dytë të këtij vendi, por është një klub me të ardhura të mira. Pjesë e ekipit të sivjetëm janë edhe disa futbollistë të huaj si nga Senegali, Franca, Maroku e vende të tjera. Mbase nga janari pjesë e tij mund të jetë edhe ndonjë futbollist i Vllaznisë. Kurrë mos thuaj kurrë. Të presim!
© shkodrasport.com