Vllaznia fillon të mendojë që tani për sezonin e ardhshëm, duke rinovuar për një vit e gjysmë kontratën me portierin malazez Mirosllav Vujadinoviç. Pas një sezoni me jo pak probleme, nga më të ndryshmet, duket se drejtuesit e Vllaznisë, por edhe ata të Bashkisë së Shkodrës, kanë filluar që të mendojnë që tani për sezonin e ardhshëm, për një Vllazni më kompetitive dhe më dinjitoze në të gjitha drejtimet. Pra me pak fjalë, është filluar që të mendohet që tani për të ardhmen e kësaj skuadre, në mënyrë që kuqeblutë, sezonin pasardhës, të jenë ndër pretendentët kryesor për fitimin e titullit “kampion”. Një strategji e tillë duket shumë qartë, që tek insistimi që prej më shumë se 10 ditësh, që futbollistët më të mirë të Vllaznisë së tanishme, të rinovojnë kontratat me kushte të forta, qoftë në anën financiare, por edhe në aspekte të tjera, duke i mbajtur të lidhur fort me kuqeblutë. Kështu ka ndodhur me malazezin e portës shkodrane, i cili ka sezonin e të dytë në qytetin më të madh verior.

Mirosllav Vujadinoviç ka firmosur dhe për një sezon e gjysmë me Vllazninë, që do të thotë se ai është kuqeblu deri në qershor të 2013-ës. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Shkodra Sport”, Administratori i Përgjithshëm i klubit të futbollit “Vllaznia sh.a.”, Kujtim Shaba. Ai ka pohuar faktin se Vujadinoviç ka rinovuar me ta, por që puna e tyre për të ruajtur boshtin e skuadrës, për sezonin e ardhshëm, duke patur në radhët e tyre elementët më cilësorë, nuk do të ndalet këtu. Sipas asaj që mësojmë, pranimi i rinovimit të kontratës, nga ana e malazezit, ka bërë, që nga ana financiare, ai të ketë dhe një rritje në kontratën e re dhe kjo është mëse e llogjikshme dhe e kuptueshme. Ndryshe, nga shumë futbollistët të tjerë, që firmosin kontratat e tyre apo i rinovojnë me kushte lehtësuese për të ikur në çdo kohë jashtë vendit tonë, kundrejt një shumë financiare, një gjë e tillë, mësohet të mos i jetë afruar Vujadinoviçit, duke e “blinduar” deri në qershor të 2013-ës. Në asnjë rrethanë apo për asnjë ofertë, ngado që t’i vijë atij, “gardiani” aktual i Vllaznisë nuk do të mund të lëvizë, as brenda kampionatit shqiptar tek ndonjë skuadër tjetër, por as jashtë vendit. Një klauzolë e tillë, në kontratën e re mes Vllaznisë dhe Vujadinoviçit është hequr, duke e patur tashmë të sigurtë në Shkodër këtë portier, që konsiderohet dhe vlerësohet si një ndër “ruajtësit e portës, më të mirë, që mund të kenë ardhur ndonjë herë në Shqipëri. Kështu Vllaznia e re nisë nga porta dhe pikërisht nga portieri malazez Mirosllav Vujadinoviç, që do të jetë pjesë e kuqebluve dhe për një sezon e gjysmë, pasi ka pranuar kushtet e reja të drejtuesve të klubit dhe të bashkisë së Shkodrës për ta rinovuar kontratën.

Vujadinoviç: Rinovova për një Vllazni kampione

Vetë portieri nuk ka dashur të flasë shumë rreth rinovimit të kontratës me kuqeblutë, megjithatë insistimit të tonë, i ka dhënë një përgjigje të shpejtë:”Rinovova për një Vllazni pretendente, pse jo, dhe kampione, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Por gjithsesi, për momentin duhet të përqëndrohemi tek pjesa e mbetur e këtij sezoni, pasi objektivat tona janë, gjithsesi, edhe këtë sezon, të shkojmë në Kupat e Europës. Unë shpresoj shumë tek një gjë e tillë, por këtë më mirë se çdo gjë tjetër e tregojnë rezultatet në fushën e lojës. Kam besim tek forca e grupit se ndaj Flamurtarit mund të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë për gazetën tonë, blerja e parë e kuqebluve për sezonin e ardhshëm, Vujadinoviç, pasi kontrata e dir dy ditëve më parë, me Vllazninë, i përfundonte në qershor të 2012-ës. Duke folur edhe për portierin tjetër të kësaj skuadre, kolegun nga Tuzi, shqiptaro-malazezin Enis Gjokoviç, Vujadinoviç e ka vlerësuar mjaft atë, qoftë në aspektin personal, por edhe atë profesional, duke e konsideruar një rival të denjë për katërkëndorin e kuqebluve. Por shkodranët në merkaton e dimrit afruan në radhët e tyre dhe dy malazezë, Brnoviç në mesfushë dhe Jablan në sulm. I pari ende nuk e ka shijuar, në mënyrë zyrtare, fanellën e Vllaznisë, pasi është i dëmtuar, ndërsa i dyti luajti për mbi 70 minuta, në takimin ndaj Laçit, të dielën e kaluar, duke mos bindur ashtu siç duhet apo siç pritet prej tij. megjithatë Vujadinoviç shprehet me konsideratë për të dy këta lojtarë, duke qenë se janë nga i njëjti vend, thotë se i njeh mirë dhe kërkon pak durim dhe kohë për të parë vërtetë se në çfarë janë në gjendje të bëjnë, duke lënë të kuptohet se do të jenë shumë të rëndësishëm për Vllazninë.

Mejdan ZHIVANI