Pas firmës së kapitenit Rahova, të Lekajt e Repajt, Vllaznia ka firmosur sot edhe me dy futbollistë të tjerë të ekipit U-19 të Akademisë së saj.
Bëhet fjalë për mbrojtësin 17 vjeçar Egzon Shimaj dhe sulmuesin 18 vjeçar Kamelio Palushani.
Ndonëse nuk bëhet e ditur në komunikatën zyrtare të klubit për kohëzgjatjen e këtyre kontratave, ata mësohet se janë afatgjata sepse klubi shkodran ka ndër mend të “blindojë” lojtarët e talentuar të Akademisë së tij.
Ja çfarë shkruhet në faqen zyrtare të klubit në lidhje me kontratat e firmosura sot:
“Në Klubin e Futbollit Vllaznia ka vijuar puna edhe sot me firmosjen e kontratave me futbollistët e spikatur të ekipit U-19 të Akademisë së tij.
Këtë herë ka qenë rradha e dy futbollistëve të tjerë për të hedhur firmë në kontratat e ofruara nga ana e drejtuesve të klubit.
Bëhet fjalë për mbrojtësin Egzon Shimaj që njëkohësisht është edhe kontigjent i ekipit kombëtar të kësaj grupmoshe si dhe për sulmuesin Kamelio Palushani i cili sezonin e kaluar ka qenë shënuesi më i mirë i ekipit dhe po ashtu edhe sivjet po spikat me lojën dhe golat e tij.
Firmat me këto lojtarë kanë ardhur pas propozimit të bërë nga vetë drejtuesit e Akademisë dhe natyrisht që konsiderohen dy sportistë me të ardhmen që premtojnë shumë për ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë”.