Pas ekipit të femrave, edhe ai i meshkujve të volejbollit të Vllaznisë ka bërë përforcime në merkaton e janarit. Stafi drejtues i këtij ekipi bën të ditur se para pak ditësh ka arritur akordin me një volejbollist bosnjak dhe vetëm sot atij i ka ardhur dokumentacioni nga Federata Europiane dhe ai mund të konsiderohet zyrtarisht pjesë e Vllaznisë.

Bëhet fjalë për Amar Brodliç, i cili është i datëlindjes 04.08.1997 dhe luan në pozicionin 4, atë të diagonalistit dhe eshte i gjate 1.97 m. Ndonëse në moshë të re, ky lojtar ka provuar të luajë përveçse në Bosnjë, edhe në vende të tjera.

Për katër sezone ka luajtur në Katar ndërsa 6 muajt e fundit ka qenë pjesë e ekipit Traktor Basel në Zvicër. Tashmë do të jetë pjesë e Vllaznisë dhe do të mundohet ta ndihmojë atë, pse jo edhe për të fituar titullin kampion.

Bëhet e ditur se drejtuesit kuqeblu janë duke tentuar të marrin edhe një tjetër lojtar të huaj dhe për të janë duke pritur konfirmimin e Federatës Europiane.

Ndërkohë faza e dytë e kampionatit ka nisur tashmë dhe Vllaznia në fundjavë do të udhëtojë drejt Durrësit për t’u ndeshur me Teutën në të parën sfidë për këtë vit.
© shkodrasport.com