Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj e ka bërë realitet edhe marrjen e dy basketbollistëve serbë me të cilët ishte në kontakt dy ditët e fundit. Ditën e sotme, presidenti i shoqatës së basketbollit shkodran Sokol Dibra ka hedhur firmë në kontrata me këta dy basketbollistë. Ashtu siç kemi bërë të ditur ditën e djeshme, bëhet fjalë për Bogoljub Devrnja dhe Nikola Jeftiç. I pari, Devrnja është 33 vjeç dhe i gjatë 2.03 m. Ai ka luajtur deri para pak ditësh me ekipin Inter Bratislava. Ka shumë përvojë dhe për rrjedhojë, me përvojën e tij pritet ta çojë Vllazninë drejt titullit kampion. I dyti- Jeftiç është i gjatë 2.02 m dhe kohët e fundit ka qenë pjesë e ekipit OKK Beograd. Me zyrtarizimin edhe të këtyre dy blerjeve ka shkuar në pesë numri i të huajve tek ekipi i basketbollit të Vllaznisë sepse në skuadër siç dihet është edhe serbi tjetër Kovaç si dhe dy malazezët Gjokoviç dhe Dragiçeviç. Prezantimi i dy serbëve të marrë së fundi do të bëhet ditën e nesërme nga ana e trajnerit Gjeçaj i cili ka filluar ta bëjë skuadrën gati për sfidat e play-off-it. Sigurisht që me gjithë këto lojtarë dhe me këtë investim të bërë, pritet ardhja e titullit kampion i cili mungon në Shkodër që prej 13 vitesh sepse hera e fundit që ka patur një sukses ka qenë sezoni 1999-2000 kur Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë.
Gjergj KOLA