Ekipi i Vllaznisë bën realitet edhe një tjetër goditje në merkato. Mesditën e sotme ata kanë firmosur një kontratë me sulmuesin Brunild Pepa.Lushnjari 25 vjeçari në sezonin e fundit ka luajtur me Bylisin e Ballshit ndërkohë që më parë në karrierën e tij ka qenë edhe pjesë e Teutës dhe Flamurtarit. Pepa në prani të administratorit Gjyrezi ka firmosur për dy vite me ekipin shkodran dhe që nga java e ardhshme do të nisë stërvitjen me ekipin shkodran.

Vllaznia në fakt në sezonin që sapo u mbyll ka vuajtur për sulmues dhe tashmë është fokusuar tek gjetja e lojtarëve për këtë repart. Por nëse ka firmosur sot me Pepën, kjo nuk do të thotë se merkatoja për sulmin mbyllet këtu tek Vllaznia. Drejtuesit e saj janë në kërkim edhe të një sulmuesi tjetër cilësor për të kompletuar në këtë mënyrë repartin ofensiv. Megjithatë të presim. E rëndësishme është që skuadra tashmë ka filluar të marrë formë. Pas Gocajt, firmos tashmë edhe Pepa por në ditët në vazhdim priten edhe të tjerë lojtarë për të ardhur. Administratori Gjyrezi, drejtori sportiv Grima dhe trajneri Cungu prej ditësh janë të angazhuar maksimalisht për gjetjen e lojtarëve cilësorë ndërkohë që konfirmohet fakti se shumë prej lojtarëve cilësorë nuk kanë preferencë të vijnë në Shkodër ndërsa disa të tjerë, duan kontrata shumë të larta nga ana financiare dhe klubi Vllaznia për momentin nuk mundet t’ua ofrojë.
© shkodrasport.com