Dita e djeshme ka qenë e mbushur sërish me firma për futbollistët e Vllaznisë. E kanë hedhur të zezën në të bardhë katër lojtarë që do jenë pjesë e kësaj skuadre në sezonin e ri ndërkohë që drejtuesit janë në pritje edhe të dy firmave të tjera të rëndësishme. Në këtë mënyrë, ditën e djeshme kanë firmosur Amarildo Belisha, Ervis Kraja, Erind Selimaj dhe Arenc Dibra. Ndërkohë drejtuesit kuqeblu janë në pritje të përgjigjes përfundimtare dhe pastaj të hedhjes së firmave edhe për Erjon Vucajn dhe Valdano Nimanin megjithate keto dy futbolliste nuk do jete pjese e kesaj skuadre sepse kane preferuar ta vazhdojne karrieren me ekipin e Laçit.
Belisha
32 vjeçari shkodran është bashkuar disi me vonesë në stërvitjen e kuqebluve pikërisht ngaqë nuk kishte një akord financiar me drejtuesit e klubit megjithatë tashmë gjithçka është OK. Paraditen e djeshme, Amarildo Belisha ka hedhur firmë në kontratë dhe për këtë arsye, edhe për një sezon tjetër do jetë pjesë e Vllaznisë. Ky është një përforcim i rëndësishëm për këtë skuadër sepse me eksperiencën e tij do ta ndihmojë atë për të arritur objektivat që ka. Për momentin nuk konsiderohet titullar nga ana e trajnerit Canaj megjithatë përvoja e viteve të mëparshme ka treguar se shpeshherë ai e ka nisur në këtë mënyrë megjithatë shpejt e ka zënë një vend në fushë. Për më tepër që ai fare mirë mund të luajë në dy-tre pozicione si në mesfushë ashtu edhe në mbrojtje.
Kraja
Paraqitjet e tij në ndeshjet miqësore që Vllaznia ka zhvilluar kohët e fundit, kanë qenë të mira. Në disa prej tyre ka luajtur si titullar, në disa të tjera ka hyrë në pjesë të dytë megjithatë mbrojtësi shtatëlartë ka treguar një formë të mirë sportive. Për pasojë, dje edhe ai ka firmosur. Një garanci më tepër në mbrojtje dhe një element më shumë në dispozicion të trajnerit Canaj. Me firmosjen edhe të Krajës shtohet konkurrenca dhe kjo është diçka pozitive.
Selimaj e Hallunaj
Kanë hedhur firmë ditën e djeshme edhe dy portierët, Erind Selimaj dhe Ervin Hallunaj. Njëri prej tyre kishte të ngjarë që të mos ishte pjesë e kësaj skuadre nëse do qëndronte kosovari Neziri. Megjithatë drejtuesit e skuadrës kanë vendosur që më mirë të mbajnë Selimajn sesa kosovarin dhe për rrjedhojë, dy portierët kanë firmosur kontratat e reja duke plotësuar kështu treshen e portierëve bashkë me Vujadinoviç. Kuptohet që ky i fundit padiskutim që do të jetë titullar megjithatë edhe Selimaj e Hallunaj do të jenë të gatshëm të tregojnë vlerat e tyre sa herë që të jetë e nevojshme.
Dibra
I bashkuar disi me vonesë në stërvitje, ai nuk ka ndoshta formën më të mirë fizike megjithatë premton shumë për sulmin. Për rrjedhojë, edhe pas largimit të Gurit, për momentin konsiderohet alternativa e dytë e sulmit pas Gjinit. Rritja e parametrave fizike do ta ndihmojë atë të jetë edhe më i rëndësishëm për skuadrën dhe prandaj Arenc Dibra, ish- sulmuesi i Besëlidhjes, është një element që duhet patur në konsideratë. Prandaj dhe drejtuesit e klubit i kanë ofruar ditën e djeshme firmosjen e kontratës së re që ai e ka bërë pa asnjë hezitim.