Në ndeshjen e sotme Vllaznia- Vora, e fituar nga kuqeblutë me rezultatin 3-1, jo gjithçka ka shkuar ashtu si duhet për ta. Goli i pësuar në minutën e 90-të në fakt nuk ka ndryshuar asgjë sa i takon fatit të ndeshjes, megjithatë ka shqetësuar së tepërmi një pjestar të Vllaznisë.
Pikërisht portierin Sherri i cili kishte plot 655 minuta pa pësuar gol dhe e pësoi atëherë kur nuk ishte e nevojshme. Skuadra shkodrane lëshoi jo pak terren në fund dhe miqtë krijuan 2-3 raste që Sherri i zgjidhi në mënyrën e duhur.
Por në minutën e fundit të kohës së rregullt, Fuçia është shfaqur i vetëm në zonën kuqeblu dhe gjuajtja e tij drejt portës, nuk ka arritur dot të neutralizohet as nga portieri.
Kjo ka bërë që tek lojtarët e Vorës të ketë festë ndërsa në kampin shkodran, portieri Sherri është parë tejet i inatosur me kolegët e tij të mbrojtjes.
Madje, menjëherë pas përfundimit të takimit, numri 31 i Vllaznisë nuk është parë të takojë asnjë pjestar të skuadrës dhe është drejtuar i pari për në dhomat e zhveshjes.
Madje, në këto momente është parë edhe duke fshirë lotët, çka tregon së tepërmi për mërzinë e tij për pësimin e këtij goli të panevojshëm.
© shkodrasport.com