Skuadra shkodrane e ka fituar edhe miqësoren e dytë të luajtur në tokën sllovene. Në përballjen e sotme me ekipin e dytë të Celjes së Sllovenisë, ajo ka arritur të fitojë me rezultatin 1-0. Autor i golit që i dha fitoren asaj ka qenë Stefan Cicmil i cili shndërroi në gol një 11-metërsh të dhënë nga gjyqtari për Vllazninë.Trajneri Zmijani e ka nisur ndeshjen me portierin Dragojeviç, më pas me Gurishtën, Cicmil, Borshin e Markun në mbrojtje, në mesfushë janë aktivizuar Krymi, Kapaklija, Bardulla e Shtubina ndërsa në sulm ka qenë dyshja Çinari- Kabuni. Në pjesën e dytë ndërkohë nuk janë bërë shumë zëvendësime dhe në lojë janë futur vetëm Dyca, Hakaj, Kiri dhe Sherri.
Loja është dominuar gjatë gjithë kohës nga skuadra shkodrane e cila ka patur mundësi të shënojë edhe gola të tjerë megjithatë e ka mbyllur ndeshjen me vetëm një gol dhe atë përmes pikës së bardhë të penalltisë. Ka qenë Çinari që është penguar brenda zonës në mënyrë të parregullt nga një mbrojtës dhe gjyqtari ka akorduar 11-metërsh. Këtë herë nuk e ka gjuajtur si zakonisht portieri Dragojeviç por malazezi tjetër, mbrojtësi Cicmil i cili është treguar i saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Përveç këtij momenti, ka patur edhe shumë raste të tjera për gol por që nuk janë konkretizuar. Megjithatë, sipas kapitenit të ekipit shkodran Ndriçim Shtubina, “kjo ka qenë ndeshja më e mirë që ka zhvilluar deri tani Vllaznia”. Por sigurisht që pritet ende nga kuqeblutë për të kapur formën e tyre më të mirë. Edhe në ndeshjen e sotme kanë munguar dy futbollistët kosovarë, Haxhaj e Ahmeti ngaqë ata vetëm pasdite do të bashkohen me skuadrën në kampingun slloven.
www.shkodrasport.com