Vllaznia ka luajtur sot në Budva ndeshjen e dytë miqësore në tokën malazeze. Përballë saj ka qenë ekipi Grbalj që merr pjesë në Superligën e vendit fqinj dhe ka fituar me rezultatin 1-0. Në krahasim me ndeshjen  e pak ditëve më parë trajneri Bushati kishte vendosur të ndryshonte dy gjëra në formacion. Ishte rikthyer pas një dëmtimi në qendër të mbrojtjes Kraja që ka luajtur përkrah Seminës ndërsa në krahë kanë qenë Smajli dhe Begaj ndërsa prapa në portë Gjokoviç pasi do jetë ai që do luajë në ndeshjen e parë në Korçë për shkak të pezullimit të Vujadinoviç. Ndërkohë në mesfushë, sot ka luajtur Belisha përkrah Nallbanit në qendër dhe në krahë Dragoi e Hajdari ndërsa në sulm ka luajtur Deliç dhe në majë këtë herë është aktivizuar Gjini para Rexhës. Pjesa e parë e ndeshjes është karakterizuar nga një lojë e fortë. Kundërshtari ishte një nga skuadrat më të mira të Superligës malazeze dhe kuptohet që koefiçenti I vështirësisë këtë herë ishte më I lartë. Gjatë 45 minutave të kësaj pjese, ka patur pak raste për shënim nga një për secilën skuadër teksa Gjini ka qenë I vetmi që ka rrezikuar për Vllazninë. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Kraja është dëmtuar dhe në vend të tij ka hyrë lojtari I porsardhur, shkodrani Antonio Marku. Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Bushati  ka aktivizuar me rradhë edhe  lojtarët e tjerë, Vujadinoviç, Tafili, Bardulla, Kruja, Guri, Shtubina, Rexha e Dema.Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar nga sulmuesi kosovar Rexha në minutën e 70-të. Në këtë ndeshje nuk ka luajtur asnjë minutë mbrojtësi malazez Çirakoviç që kishte ardhur për provë. Trajneri Bushati e kishte provuar në stërvitjen e paradites dhe nuk ishte bindur për aftësitë e tij, që do të thotë se edhe ai do të largohet.Në ndeshjen e sotme, janë dëmtuar Kraja, Deliç dhe Marku për ndërhyrje të rënda të kundërshtarit por gjithsesi dëmtimet e tyre nuk janë serioze.
www.shkodrasport.com