
Për skuadrën shkodrane vjen edhe fitorja e tretë në katër miqësoret e zhvilluara deri më tani. Në takimin e luajtur pasditen e sotme në Ulqin ndaj skuadrës vendase Otrant, Vllaznia ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0. Autorë të golave kanë qenë dy futbollistët e ardhur këtë verë tek ajo, Gocaj dhe Manuka. Shkodrani ka shënuar në pjesën e parë ndërsa i dyti ka shënuar në 45 minutat e dyta. Ajo që ka më shumë rëndësi është se edhe trajneri Cungu ka mbetur disi më i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij, gjithnjë krahasuar me ato të miqësoreve të mëparshme. Në fushë nga minuta e parë kanë luajtur, Agoviç në portë ndërsa në mbrojtje ka qenë katërshja e përbërë nga Gocaj, Cicmil, Vrapi dhe Marku. Para saj kanë luajtur dyshja Krymi- Bardulla ndërsa në krahun e djathtë është aktivizuar Vecaj dhe në të majtë Kruja. Para tyre në këtë takim ka luajtur një tjetër futbollist i ardhur për provë, malazezi Filip Kalaçeviç që vinte nga ekipi i Petrovacit. Në majë të sulmit ndërkohë trajneri Cungu në këtë takim ka aktivizuar shkodranin Dibra. Gjatë 45 minutave të para, ka patur një dominim të lojës nga kuqeblutë që kanë shënuar edhe golin e avantazhit me anë të Gocajt. Në pjesën e dytë ndërkohë janë hedhur në fushë nga ana e stafit teknik edhe futbollistët e tjerë që kanë patur në dispozicion për këtë miqësore dhe pikërisht portieri Selimaj, Pjeshka, Gurishta, Manuka, Tafili, Erkoçeviç, Dyca, Shtubina, Hebaj e Pepa. Ndërkohë, sa i takon kosovarit Yll Hoxha, nuk është përfshirë në skuadër për këtë miqësore ngaqë sapo ka nisur stërvitjen. Ndërkohë, njëri prej lojtarëve të aktivizuar në pjesën e tyre dhe pikërisht Gentian Manuka (lojtar që ende nuk ka firmosur për Vllazninë) ka shënuar edhe golin e dytë dhe të fundit të ndeshjes. Pas përfundimit të takimit, trajneri Cungu është shprehur përgjithësisht i kënaqur me lojën e zhvilluar sepse në krahasim me miqësoret e mëparshme, ekipi është shprehur më qartë në fushën e lojës. Sa i takon malazezit Kalaçeviç, paraqitja e tij nuk ka bindur shumë dhe me shumë siguri edhe ai nuk do të jetë pjesë e planeve të drejtuesve kuqeblu për sezonin e ri.
© shkodrasport.com