Pasditen e sotme Vllaznia ka zhvilluar miqësoren e saj të katërt. Ajo është ndeshur në Peqin ndaj Shkumbinit vendas të cilin e ka mundur me rezultatin 2-0. Autor i të dy golave në këtë ndeshje ka qenë rumuni Dragoi, nga një për secilën pjesë. Në këtë ndeshje ka patur 2-3 ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjet e mëparshme. Kështu, në portë si gjithnjë ka qenë Vujadinoviç e po ashtu në mbrojtje treshja “e paprekur”  ka qenë ajo e përbërë nga Smajli, Beqiri dhe Osmani. Në krahun e majtë të mbrojtjes këtë herë është aktivizuar Begaj i cili e ka lënë tashmë plotësisht prapa dëmtimin që ka patur dhe është në dispozicion të stafit drejtues. Një ndryshim ka patur edhe në mesfushë. Belisha ka luajtur në qendër të saj bashkë me kosovarin Nallbani. Aktivizimi i Belishës në këtë pozicion këtë herë ka ardhur nga fakti se ka munguar malazezi Deliç. Ai ka pësuar një dëmtim në kokë që në ndeshjen e kaluar me Beslidhjen. Pikërisht nga ky dëmtim, ai është lënë pushim nga ana e trajnerit Duro për këtë miqësore. Të tjerët kanë qenë Dragoi në të djathtë dhe Shtubina në të majtë. Një ndryshim ka patur edhe në sulm. Në këtë miqësore ka luajtur për herë të parë me fanellën kuqeblu sulmuesi kosovar Rexha i cili ka formuar dyshen e sulmit bashkë me Hysën. Ndërkohë në pjesën e dytë kanë luajtur edhe portieri Gjokoviç, Kraja, Semina, Tafili, Bardulla e Guri.

www.shkodrasport.com