Vllaznia ka fituar me rezultatin 2-1 ndeshjen miqësore me ekipin Kosovar të Drenicës. Takimi I luajtur mesditën e sotme në Kamëz I ka shërbyer të dy stafeve teknike për të parë më nga afër ekipet e tyre. Kujtojmë që ekipin e Superligës së Kosovës e drejton ish- futbollisti I njohur Bledar Devolli.
Trajneri Brdariç kishte lënë pushim për këtë miqësore disa prej titullarëve ndërkohë që në fushë kanë qenë kapiteni Gurishta si dhe Imami, Marku, Kruja, Isaevski e Imeri. Pjesa tjetër e futbollistëve që kanë luajtur, kanë qenë ata të cilët nuk kanë gjetur shumë hapësira në ndeshjet e kampionatit.
Kanë qenë kosovarët e Drenicës ata të cilët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Morinës në minutën e 18-të, megjithatë Vllaznia erdhi duke e rritur lojën e saj dhe e përmbysi rezultatin. Fillimisht ka qenë sulmuesi Dunga që ka barazuar shifrat në minutën e 36-të dhe dy minuta më vonë do të shënonte edhe Imeri golin e dytë.
Pjesa e parë kësisoj do të mbyllej me avantazhin e skuadrës shkodrane me shifrat 2-1. Në të dytën, stafi Teknik ka aktivizuar edhe tetë lojtarët e tjerë që ka patur të gatshëm në pankinë. Ata janë përpjekur për të dhënë më të mirën e tyre, por nuk kanë arritur dot të shënojnë gola të tjerë.
Pavarësisht rasteve të krijuara gjatë kësaj pjese loje, rezultati nuk ka ndryshuar dhe për rrjedhojë I gjithë takimi është mbyllur me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 2-1.
Pas kësaj miqësoreje, ekipi Shkodran tashmë do të jetë I fokusuar maksimalisht tek sfida e së shtunës për kampionat me Tiranën, sfidë kjo që duhet fituar patjetër për të vijuar me serinë e fitoreve të këtij fillim-sezoni./SHKODRA-SPORT.COM/