Skuadra e Vllaznisë ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 në miqësoren e luajtur pasditen e sotme ndaj ekipit malazez të Zetës. Ndeshja është luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” dhe përveç drejtuesve të të dy ekipeve, është ndjekur edhe nga një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë. Vllaznia e ka nisur ndeshjen duke hedhur në fushë formacionin më të mirë të saj, ashtu si dhe skuadra malazeze e cila renditet në vendin e shtatë të superligës së këtij vendi. Pjesa e parë nuk do kishte shumë raste shënimi për skuadrat dhe për rrjedhojë do mbyllej në barazim 0-0.
Në pjesën e dytë trajneri Bushati ka aktivizuar një formacion tjetër tërësisht dhe me të nisur loja, pikërisht në minutën e 51-të pas një aksioni shumë të bukur, shkodranët shënojnë me anë të Gurit. Ka qenë një kros i Krujës nga e djathta, topi shkon në zonë tek Rexha që e ul atë me kokë për tek shoku i tij i skuadrës që nuk heziton ta dërgojë topin në rrjetë.Pas pësimit të golin, reagon Zeta e cila krijon edhe raste megjithatë është e pafat. Ka arritur të godasë 5 herë shtyllat e portës së Vllaznisë por në fund ka arritur të barazojë me anë të Çalaviç në minutën e 67-të. Kur dukej se ndeshja do mbyllej në barazim, do të vinte goli i fitores për kuqeblutë. Bardulla bën një gjuajtje pa shumë pretendime dhe portieri malazez bën një gafë duke e lejuar topin të shkojë në rrjetë. Përfundimisht 2-1 për Vllazninë në këtë miqësore të luajtur në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve të kombëtares ë dy vendeve.
Vllaznia- Zeta 2-1
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Beqiri, Belisha, Begaj, Nallbani, Tafili, Deliç, Dragoi, Hajdari, Gjini. Tr: A. Bushati. U aktivizuan edhe Hallunaj, Rusi, Balaj, Marku, Dema, Kruja, Bardulla, Markolaj, Shtubina, Guri, Rexha, Hoti e Shkjau.
Zeta: Ivanoviç, Radulloviç, Kollaçeviç, Brnoviç, Novoviç, Bojiç, Vlisaliviç, Doshlak, Çalaviç, Orlandiç, Radoviç. Tr: D. Shushkavçeviç. U aktivizuan edhe Burzanoviç, Koraç, Otasheviç, Kertoviç.
Shënues: Guri 51′, Bardulla 84’/ Çalaviç 67′
Gjyqtarë: D. Jubica, D. Salaj, Gj. Bori, N. Sterkaj, J. Podgorica
www.shkodrasport.com