Dinamo- Vllaznia 0-3
Dinamo: Dauti, Shehu, Luzha, Misiri, Çeliku (Keta 65’), Sulollari (Lala 72’), Dida, Kulli, Moska (Bajaziti 51’), Mjekaj, Guzja. Trajner: Artan Mergjyshi
Vllaznia: Rexhepi, Lekaj (Jubani 46’), Iz.Bala, Hasani Dema, Hasani, Shaba, Belisha, Guri (Gjini 52’), Nimani (Markolaj 63’), Danaj, Erkoçeviç. Trajner: Rudi Vata
Gjyqtarë: A.Koçi, F.Lame, F.Elezi (Durrës)
Shënues: Gjini 53’, S.Shaba 70’, Markolaj 78’
Kartona të verdhë: Shehu, Luzha / Hasani
Vllaznia fiton 3-0 ndaj Dinamos për kupë
Vllaznia e mbushur me element të ri, me ndonjë përjashtim të vogël, ka fituar ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Tre golat e Gjinit, S.Shabës dhe të Markolajt, në pjesën e dytë, pikërisht në minutat 53, 70 dhe 78, i kanë dhënë një fitore të merituar kuqebluve, që përballë kishin një Dinamo, me element akoma më të ri, seç ishin shkodranët në total. Tekniku i shkodranëve Rudi Vata kishte lënë pushim në këtë ndeshje, thuajse gjithë ekipin e parë, më të cilin, paradite kishte zhvilluar një seancë stërvitore dhe pastaj, pasdite, ka udhëtuar drejt Kamzës për të drejtuar ndeshjen, ndërkohë që ekipi, që luajti ndaj Dinamos, ishte nisur që në orën 9.00. Pjesa e parë nuk ka qenë e mira, thuajse një lojë konfuze nga të dyja palët dhe apatike, ndërsa e dyta ka qenë më ndryshe. Kjo vlen për të dyja ekipet, si për Dinamon, ashtu edhe për Vllazninë. Por kjo e fundit ishte më lart se kundërshtari, falë edhe ndërrimeve të kryera. Në fund tekniku Rudi Vata është shprehur i kënaqur për paraqitjen e lojës së skuadrës së tij, duke treguar vlera, edhe futbollistët e rinj. Ndeshja Dinamo-Vllaznia 0-3, u zhvillua në kompleksin sportiv të ekipeve kombëtare në Kamëz. Atë e ndoqën nga afër, nën-kryetari i bashkisë së Shkodrës Ridvan Troshani, i shoqëruar nga këshilltari teknik Ramazan Rragami, emrat e njohur të futbollit shqiptar si Sulejman Demollari, Indirt Fortuzi. Në këtë ndeshje, ishte në rolin e vëzhguesit, edhe një menaxher nga Greqia.