Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar një ndeshje kontrolli.Përballë tij ka qenë ekipi i 19 vjeçarëve të klubit shkodran. Ndeshja është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Trajneri Bushati e ka nisur lojën me portierin Vujadinoviç në portë, pastaj me Rusin në krahun e djathtë të mbrojtjes që ka luajtur në vend të Smajlit të dëmtuar, me Seminën e Belishën në qendër dhe Begajn në të majtë. Në mesfushë ndërkohë ka luajtur këtë herë Beqiri në vend të Nallbanit, Tafili, Dragoi, Hajdari, Bardulla dhe në sulm Rexha. Në pjesën e parë, kuqeblutë kanë arritur të shënojnë dy gola me anë të Hajdarit të parin dhe të dytin me anë të kapitenit Beqiri pas ekzekutimit të një goditje dënimi duke përfituar edhe nga një vendosje jo e mirë e portierit të të rinjve Spahija. Pjesa e parë kësisoj është mbyllur me rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë janë aktivizuar lojtarët e stolit me Gjokoviç, Krujën, Krajën, Markun, Demën, Nallbanin, Deliç, Markolajn dhe Shtubinën ndërsa në sulm kanë luajtur Gjini dhe Guri. Po gjatë kësaj pjese janë aktivizuar edhe Hallunaj, Shkjau e Hoti. Gjatë 45 minutave të kësaj pjese, ka shënuar dy gola sulmuesi Gjini dhe për rrjedhojë krejt ndeshja është mbyllur me fitoren e Vllaznisë 4-0. Tek të rinjtë kuqeblu ka rënë në sy gjatë pjesës së dytë loja e mirë e Stivi Vecajt që kthehet pas një kohe të gjatë me dëmtim dhe shfaqi një formë shumë të mirë sportive. www.shkodrasport.com
Trajneri Bushati me titullaret para ndeshjes se sotme te kontrollit.