Vllaznia fiton edhe ndeshjen e dytë miqësore, atë të zhvilluar pasditen e sotme në Tivar të Malit të Zi ndaj Mornarit vendas. Në fund të takimit është fiksuar rezultati 1-0 në favor të kuqebluve. Fatin e ndeshjes e ka vendosur autogoli i Malishiç në minutën e 88-të të saj. Ka qenë një depërtim i bukur i Pepës nga e majta, është futur në zonë dhe ka tentuar të pasojë tek Dibra prane portës por ka ndërhyrë mbrojtësi vendas që në përpjekje për të larguar topin, e ka dërguar atë në rrjetën e portës së tij. Pavarësisht fitores, duhet thënë se loja e ekipit shkodran nuk është ngjitur në lartësinë e duhur.

Po ashtu edhe tre lojtarët e atdhur në provë, portieri Scekiç dhe dy sulmuesit, Roloviç dhe Rakiç nuk kanë bindur dhe pritet që të mos e vazhdojnë më atë. Trajneri Cungu e nisi ndeshjen me këtë formacion: schekiç, Gocaj, Cicmil, Vrapi, Marku, Krymi, Bardulla, Kruja, Vecaj, Roloviç, Rakiç. Ndërkohë Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Gurishta, Pjeshka, Manuka, Tafili, Dyca, Erkoçeviç, Pepa, Dibra, Selimaj dhe lushnjari Sula, edhe ky i ardhur për provë. Gjithsesi stafi i Vllaznisë pas ndeshjes është shprehur jo shumë i kënaqur me formën e paraqitur nga ekipi dhe theksoi se duhet shumë punë për të kapur ritmin e duhur.

© shkodrasport.com