Basketbollistët e Vllaznisë kanë arritur një tjetër fitore në ndeshjet miqësore. Këtë herë ndaj Bashkimit të Prizrenit. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 75-74 në favor të kuqebluve të cilët ndonëse nuk kanë zhvilluar ndeshjen e tyre më të mirë, sërish ia kanë dalë të fitojnë. Dy periodat e para janë mbyllur në barazim 34-34 kur loja në fakt ka qenë e kontrolluar nga vendasit por disa gabime në minutën e fundit të periodës së dytë, bënë që ekipet të shkojnë në barazim në pushimin e ndeshjes. Në dy periodat e tjera është sërish Vllaznia që udhëheq dhe në fund ka fituar me vetëm një pikë, 75-74.
Duhet thënë se në ndeshjen e sotme, një nga basketbollistët e saj malazez ka luajtur shumë pak dhe po ashtu edhe slloveni Sarajlija që kanë pasur disa probleme dëmtimesh. Kjo është miqësorja e gjashtë që kuqeblutë fitojnë në po kaq ndeshje të luajtura. Ajo që duhet përmendur për miqësoren e sotme është se ndeshja është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” që hapet pas rikonstruksionit që i është bërë. Përpos kësaj, fakt tjetër interesant është se për ta ndjekur këtë ndeshje kanë qenë rreth 500 tifozë ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe dy drejtuesit e lartë të Federatës, presidenti Avni Ponari dhe sekretari i Federatës Korab Llazani.
Gjergj KOLA