Ka mjaftuar një 11-metërsh i shndërruar në gol nga ana e Kristian Dragoit për t’i dhënë fitoren në ndeshjen e sotme Vllaznisë ndaj Bylisit. Tre pikë shumë të vlefshme që e ngjisin këtë skuadër në kuotën e 29 pikëve duke qenë në kuotë të barabartë pikësh tashmë me Tiranën e vendit të pestë dhe vetëm 5 pikë larg Teutës së vendit të dytë. Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” ka dhuruar jo pak emocione. Sidomos pjesa e parë ka qenë shumë e bukur për Vllazninë që përveç golit të Dragoit, duhej të kishte shënuar edhe ndonjë gol tjetër. Megjithatë vendimtar do ishte minuta e 24-të e ndeshjes. Rexha brenda zone kërkon të fusë një top në koridor për Dragoin por ai ndalet në dorën e Adebayo dhe gjyqtari Peza shumë pranë aksionit tregon pikën e bardhë nga ku rumuni është i saktë. Ndërkohë në pjesën e dytë, Vllaznia ashtu si dhe ndaj Kukësit luan shumë e tërhequr duke i dhënë mundësi Bylisit të kontrollojë mesfushën dhe të kërkojë golin e barazimit. Izuçuku përpak sa nuk e ka bërë këtë gjë në minutën e 83-të por topi i gjuajtur prej tij përfundoi ngjitur me shtyllën pingule. Përfundimisht 1-0 për Vllazninë që vazhdon ecurinë mjaft të mirë në këtë fazë të dytë me 12 pikë të marra në 5 ndeshjet e para të saj.
www.shkodrasport.com