Vllaznia është shpallur sot në mbrëmje kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, pas triumfit 102-76 arritur ndaj Teutës në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, në finalen e katërt play off-it. Shkodranët mbrojtën titullin fituar vjet, duke triumfuar 3-1 me ndeshje ndaj rivalëve durrsakë. Ky është trofeu i vetëm i Vllaznisë këtë sezon, që pasi humbi Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, arriti të rrëmbejë titullin kampion. Një triumf i vështirë por i merituar i ekipit shkodran të trajnerit Gjeçaj, që konfirmohet si skuadra më e mirë, teksa falë punës dhe investimeve arrin të shpallet kampione.

Ëndrra e Teutës për t’u shpallur kampione mbeti e tillë, por durrsakët rritën rivalitetin dhe rikthyen tifozerinë. Ndeshja nis mjaft mirë për skuadrën shkodrane, e cila që në periodën e parë ka epërsi të madhe, duke u shkëputur vazhdimisht. Teuta është e çoroditur në këtë periodë të parë dhe, megjithëse reagon, është në ndjekje të Vllaznisë, që udhëheq 32-18. Çereku i dytë është mjaft i bukur, madje spektakolar, ku skuadrat realizojnë shumë pikë. Vllaznia ka komandën e lojës dhe është gjithnjë në avantazh, duke administruar avantazhin dhe udhëheq 60-46. Edhe në periodën e tretë është Vllaznia që dominon, duke e thelluar edhe më shumë avantazhin. Diferenca prej 20 pikësh, 81-61, fiksohet në përfundim të 10-minutëshin e tretë, avantazh që praktikisht vulos fitoren e ekipit mik. Çereku i fundit është më së shumti një formalitet, pasi Teuta edhe pse luan me zemër e mbështetur edhe nga fansat e shumtë, nuk ka forcën për të rihapur ndeshjen. Vllaznia nuk rrezikon shumë dhe në fund fiton 102-76. Allen, Gjonaj, Bekteshi, Xhokovic, Faslija, Berdica etj., bënë një lojë të mirë kolektive, duke nisur festën para fansave të tyre të shumtë që kishin ardhur sot në Durrës. Momenti kur presidenti Ponari i ka dorezuar kupen kapitenit Berdica eshte shoqeruar me shume ovacione ne “Ramazan Njala” dhe Vllaznia per te tretin vit me rradhe eshte kampione e Shqiperise ne basketboll per meshkuj duke treguar se eshte ajo skuadra “qe ben ligjin” ne kete sport.
© shkodrasport.com