E ka nisur me fitore serinë e ndeshjeve miqësore ekipi i Vllaznisë. Në takimin e luajtur pasditen e sotme në Tuz të Malit të Zi ndaj Deçiçit vendas, kuqeblutë kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1. Sipas informacioneve të para që mësohen, vetëm në pjesën e dytë ata kanë arritur të dalin në lojën e tyre dhe të shpalosin vlerat më të mira. Ata e kanë nisur ndeshjen me portierin Agoviç, pastaj në mbrojtje kanë luajtur Gocaj në të djathtë, Cicmil dhe Vrapi në qendër si dhe Marku në të majtë. Në qendër të mesfushës ka luajtur kroati Filipoviç me Bardullën dhe në krahë Shtubina me Vecajn ndërsa para tyre rusi Kayumov ndërsa në majë të sulmit ka luajtur serbi Rakiç.

Në fakt, të parët kanë kaluar në avantazh vendasit me anë të Gjuranoviç. Shkodranët kanë arritur të barazojnë vetëm pas një 11-metërshi të akorduar nga gjyqtari për një pengim në zonë të sulmuesit Rakiç dhe të kthyer në gol nga kapiteni Shtubina. Ndërkohë në pjesën e dytë, ka ardhur edhe goli i fitores për Vllazninë që është shënuar nga mesfushori Tafili. Në këtë takim, trajneri Cungu ka aktivizuar edhe futbollistët e huaj të ardhur në provë dhe figurën më të mirë ndër ta nga sa merret vesh, e ka bërë sulmuesi serb i sapoardhur Aleksandar Rakiç, ndonëse edhe ai jo në kondicionin e duhur fizik. Po ashtu, një përshtypje të mirë ka lënë edhe portieri malazez Agoviç megjithatë duhet pritur ende. Stafi teknik i Vllaznisë në përgjithësi nuk ka mbetur shumë i kënaqur me nivelin e lojtarëve të huaj dhe kjo do të thotë se shumica e tyre do largohen. E rëndësishme është që kuqeblutë e kanë nisur me fitore serinë e takimeve miqësore që do të zhvillojnë në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik.

© shkodrasport.com