Ditën e sotme kanë nisur ndeshjet e turit çerekfinal të kampionatit kombëtar të volejbollit të meshkujve. Sipas kalendarit të përcaktuar, Vllaznia do ndeshej ndaj Skënderbeut. Ndeshja e parë është luajtur në Shkodër ngaqë ekipi i drejtuar nga trajneri Artan Kalaja është më mirë në renditje. Për rrjedhojë, ai ka kaluar pa probleme këtë ndeshje të parë ndaj korçarëve. Seti i parë i ndeshjes është fituar nga ana e tyre me rezultatin 25-21. Me të njëjtin rezultat është mbyllur edhe seti i dytë ndërkohë që në të tretin epërsia ka qenë më e madhe dhe është arritur rezultati 25-16.
Në këtë mënyrë, me rezultatin 3-0 Vllaznia ka hedhur hapin e parë për kalimin në turin gjysmëfinal të play-off-it. Duhet luajtur edhe ndeshja e dytë në Korçë për të përcaktuar pastaj nëse nevojitet ndeshja e tretë apo jo. Në turin gjysmëfinal, skuadra shkodrane pritet të ndeshet me Teutën e vendit të parë në renditje.
www.shkodrasport.com