Pasditen e së shtunës ka qenë planifikuar të luhej në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ndeshja e kampionatit të volejbollit të meshkujve në mes Vllaznisë dhe Studentit. Por 24 orë përpara zhvillimit të saj, mësohet se Vllaznia e ka fituar ndeshjen!!!

Po, po, kjo është mëse e vërtetë. Kuqeblutë e kanë fituar këtë ndeshje në tavolinë me rezultatin 3-0. Arsyeja është e thjeshtë sepse ekipi i Studentit nuk ka paguar taksat në Federatë dhe për këtë arsye, nuk do të lejohet të marrë pjesë në kampionat pa e bërë një gjë të tillë.

Në këto rrethana takimi i nesërm nuk do të luhet. Këtë e konfirmon vetë Federata e cila pak minuta më parë ka postuar në faqen e saj edhe çiftet e ndeshjeve që do të luhen nesër dhe ajo Vllaznia- Studenti nuk figuron.

Në këtë mënyrë ekipi shkodran e ka fituar ndeshjen në tavolinë dhe kjo është fitorja e nëntë për të në kampionat, duke udhëhequr sërish renditjen e kampionatit.
© shkodrasport.com