
Skuadra shkodrane ka fituar me rezultatin e thellë 12-1 testin e kontrollit ndaj ekipit U-19 të Akademisë Vllaznia, ndeshje kjo e luajtur pasditen e sotme në Ulqin. Drejtuesit e klubit duke parë që ishte e pamundur të sigurohej një miqësore me ndonjë ekip tjetër, organizuan këtë miqësore në mënyrë që kuqeblutë të testonin veten. Në fakt, në fushë nuk ka patur shumë rivalitet dhe këtë e tregon edhe rezultati i thellë i ndeshjes. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 5-0 ku autorë të golave kanë qenë Vecaj, Pjeshka, Pepa, Shtubina dhe Gocaj. Duhet thënë se trajneri Cungu ka aktivizuar tre formacione në këtë takim ku secili prej tyre ka luajtur nga 30 minuta sepse me këtë mënyrë i ka dhënë mundësi të gjithë futbollistëve të pranishëm, për të treguar vlerat e tyre. Në pjesën e dytë protagonist për ekipin e parë të Vllaznisë do të ishte sulmuesi Dibra që ka shënuar plot 5 gola ndërsa dy të tjerët kanë patur për autorë Dycën dhe Krymin. Goli i vetëm për ekipin U-19 është shënuar nga Hoxha një minutë para fundit. Në këtë ndeshje është aktivizuar edhe mbrojtësi belg Landry Muleno i ardhur për provë. Nga sa mësohet, lojtari ka treguar një përgatitje të mirë teknike e taktike por ka shfaqur probleme sa i takon përgatitjes fizike. Kjo ngaqë siç dihet, ai nuk ka luajtur rregullisht këto muajt e fundit. Nga sa bëhet e ditur, Muleno do të qëndrojë edhe për disa ditë në provë dhe më pas do të vendoset për fatin e tij.
© shkodrasport.com