Një ndeshje me mjaft emocione ka qenë ajo e pasdites së sotme në Fier në mes ekipeve të Apolonisë dhe Vllaznisë. Shkodranët kanë fituar thellësisht 4-1 në një ndeshje që ka patur jo pak momente interesante. Goli i parë i ndeshjes do të shënohej nga i riu i talentuar Abaz Karakaçi që e nisi këtë ndeshje si titullar dhe e shpërbleu besimin e trajnerit Vata. Ai ka shënuar një gol të bukur në minutën e 26-të por rezultati do barazohej në fundin e pjesës së parë nga Gërço për vendasit. E dyta ka nisur më mirë për vendasit që kanë mundësinë të shënojnë edhe golin e dytë por në dy-tre momente por shkodranët kanë qenë me fat. Dhe atë që se bën Sukaj e Vajushi, do ta bënte Smajli që me kokë do shënonte golin e avantazhit për Vllazninë. Pas këtij goli, edhe dy të tjerë nga dy sulmuesit Sukaj dhe Vajushi dhe fitorja kompletohet në mënyrën më të mirë të mundshme në shifrat 4-1. Kjo ishte fitorja e parë e Vllaznisë këtë sezon në transfertë dhe njëkohësisht ky ishte suksesi i parë i trajnerit Vata që këtë ndeshje besoi shumë tek të rinjtë dhe ata ia shpërblyen me fitoren.