Tre pikë me shumë vlerë kanë qenë ato të Vllaznia ka marrë të shtunën në Ballsh. Një fitore që vjen në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Në fakt, edhe brenda në Shkodër, tek një masë e madhe e tifozëve apo dhe më gjerë, nuk kishte shumë besim tek marrja e një trepikëshi në këtë takim por krejt ndryshe ka menduar trajneri Duro. Që para ndeshjes ai e kishte shprehur besimin e tij të plotë se nuk do dilte nga Ballshi pa pikë. Ndoshta edhe një barazim ishte mirë për skuadrën e tij aq më tepër kur ajo vinte pas një barazimi zhgënjyes me Apoloninë javën e kaluar në Shkodër. Ndaj Bylisit, ndonëse Vllaznia ka luajtur pa sulmues të mirëfilltë në fushë, ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme falë një kryevepre të malazezit Ivan Deliç. Vetë Duro në fund të ndeshjes ka folur me superlativa edhe për ambjentin që ka gjetur në këtë qytet teksa ka thënë: “Ka qenë një fitore me shumë vlera ndaj një skuadre e cila ka luajtur mirë këtë kampionat ndaj skuadrave të tilla si Skënderbeu dhe Flamurtari. Ishim përgatitur të luanim një ndeshje shumë të vështirë dhe më vjen që ia arritëm qëllimit. I vlerësoj maksimalisht mallakastriotët për mikëpritjen”. Deklarata e tij është e qartë. Skuadra që ai drejton duhet t’I gëzohet në maksimum këtij trepikëshi. Me këtë fitore, ajo tashmë ka rihyrë në lojë, duke parë edhe rezultatet e arritura gjatë kësaj jave dhe kreu tashmë është vetëm një hap larg. Në Shkodër në fakt shumëkush “qan” ende pikët e humbura me Apoloninë pasi me to, skuadra e tyre do kishte qenë në pozita shumë të këndshme në renditje megjithatë për trajnerin Duro duhet parë përpara. “Kjo fitore I jep Vllaznisë moralin e duhur për javët e ardhshme të kampionatit”- ka thënë ai. Në fakt kështu duhet të jetë. Loja e kuqebluve po vjen gjithnjë në rritje dhe me kalendarin e ndeshjeve të ardhshme, gjërat nuk duken aq keq. Ata do presin Laçin javën e ardhshme për të shkuar pastaj në Berat. Megjithatë trajneri I Vllaznisë ashtu siç e ka zakon, nuk dëshiron të shkojë aq larg. Për të e rëndësishme është që skuadra të funksionojë ashtu siç duhet edhe në takimin e kupës këtë mesjavë me Ilirinë dhe vetëm pas kësaj ndeshje, të mendohet pastaj për Laçin. Tek drejtuesit e klubit ndërkohë është kthyer buzëqeshja me fitoren e arritur në Ballsh. Tashmë askush nuk e ka mendjen tek kritikat. As tek gjobat apo ndëshkimet e tjera. Për ta e rëndësishme është të vazhdohet në këtë mënyrë sepse ky kampionat po dhuron shumë supriza. Barazimet e dy kryesueseve këtë javë tregojnë se diferencat mes ekipeve nuk janë të mëdha. Për rrjedhojë, duke rritur lojën, duke shtuar entuziasmin në skuadër, Vllaznia mund të jetë mes ekipeve pretendente. Ajo aty e ka vendin dhe për rrjedhojë duhet sistemuar sa më shpejt mes tyre. Në Ballsh, kuqeblutë treguan karakterin e vërtetë të tyre dhe kjo paraqitje duhet të shoqërohet edhe me të tjera në javët e ardhshme.
Gjergj KOLA