Vllaznia në basketboll për meshkuj është shpallur fituese e Kupës së Republikës edhe për vitin 2014. Ajo ka mundur pasditen e sotme në finale ekipin Kamza Basket me rezultatin 75-63 duke u shpallur fituese e Kupës për të dytin vit me rradhë.Në gjysmëfinale shkodranët kishin fituar ndaj Partizanit në shifrat 67-54 ndërsa në takimin tjetër, Kamza Basket ka shkaktuar suprizën duke fituar 87-84 me Tiranën që mendohej pretendente.
Në finalen e sotme, basketbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj kanë dominuar duke fituar periodën e parë në shifrat 21-17. Epërsia e tyre ka ardhur duke u thelluar teksa fitojnë edhe të dytën me rezultatin 20-16. Në pushimin e ndeshjes Vllaznia shkon me 8 pikë avantazh. Perioda e tretë mbyllet në barazim 19-19 ndërsa në të katërtën është Vllaznia që fiton sërish 15-11 ndonëse trajneri aktivizoi të gjithë lojtarët e stolit duke fituar krej ndeshjen në shifrat 75-63. Pikashënuesi më i mirë i kuqebluve ka qenë Nikolin Arra me 22 pikë në këtë takim. Me këtë fitore skuadra shkodrane shpallet fituese e Kupës së Shqipërisë edhe për vitin 2014 duke pasuar suksesin e vitit të kaluar.
Gjergj KOLA