Pasditen e sotme në Tiranë janë zhvilluar garat e Kupës së Shqipërisë në atletikë për të rritur. Vllaznia e Shkodrës është shpallur fituese e kësaj kupe duke i lënë dukshëm prapa në renditje ekipet e tjera. Ashtu siç pritej, atletët shkodranë i kanë dominuar garat. Kështu, në garën e 110 m/p atleti Bajram Muça ka zënë vendin e parë me kohën 15″45. Po ashtu, vend të parë ka zënë edhe Elvedin Meti në garën e 200 m me kohën 22″31. Edhe Besmir Pepa në hedhjen e shtizës ka dalë i pari duke e hedhur atë në distancën 56.71 m, ndersa Izmir Smajlaj i pari ne trehapesh me 14.60 m. Një tjetër atlet shkodran ka spikatur në këto gara dhe ai është pikërisht kampioni i njohur Admir Bregu që konkurron për Tiranën. Bregu ka zënë vendin e parë në garën e 100 m si dhe në kërcim së gjati.

Madje, ky sportist është shpallur edhe më i miri i krejt aktivitetit. Në fund të garave, ekipi i Vllaznisë ka arritur të grumbullojë 131 pikë duke u shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë duke lënë në vend të dytë Teutën me 56 pikë dhe Tiranën në të tretin me 51.5 pikë. Ky është një fakt interesant sepse duke i bashkuar të dy bashkë këto ekipe rivale të shkodranëve, sërish nuk bëjnë aq pikë se Vllaznia. Një tregues ky i dominimit të atletëve shkodranë të cilët falë punës së mirë të bërë çdo ditë në stërvitje, nën drejtimin e trajnerëve të tyre, po arrijnë të fitojnë çdo trofe të atletikës shqiptare.

www.shkodrasport.com