Gjergj KOLA
Vllaznia fituese e turneut ndërkombëtar të xhudos
Vllaznia është shpallur fituese e turneut të gjashtë ndërkombëtar të xhudos, zhvilluar ditën e shtunë në Shkodër. Ky ka qenë turneu më I madh I zhvilluar ndonjëherë, me pjesmarrjen e sportistëve nga Kroacia, Mali I Zi, Maqedonia, Kosova si dhe të ekipeve të Vllaznisë dhe Vau Dejësit. Të pranishëm në këto ndeshje kanë qenë plot 220 sportistë e kjo tregon për konkurrencën e madhe që ka patur në ndeshjet e zhvilluara. Megjithatë xhudistët e Vllaznisë janë treguar më të mirët në këtë aktivitet ndërkombëtar teksa kanë zënë plot 17 vende të para. Kështu, për ditëlindjen 2008, vende të para kanë zënë sportistët Krista Kovaçi, Xhesika Lazri, Kledis Hyseni, Everest Nika, Dionis Prenga dhe Grid Tanushi. Në garat e ditëlindjes 2006-2007 vende të para kanë zënë sportistët Klaudia Lekaj, Emanuel Paluku dhe Pllumb Nika. Për ditëlindjet 2004- 2005 vende të para kanë zënë sportistët Elda Shima dhe Leonis Dushi ndërsa për ditëlindjet 2002- 2003 të parët kanë dalë Daran Cena dhe Demian Çuni. Ndërkohë konkurrenca në garat e kadetëve ka qenë edhe më e fortë megjithatë kanë triumfuar xhudistët e Vllaznisë Roland Vasija, Arben Cena, Xhovani Shkoza dhe Anxhela Krasniqi. Në këtë mënyrë Vllaznia me 17 vende të para është shpallur fituese e këtij turneu, duke lënë në vend të dytë ekipin e Xhudos së Cetinjës me 9 vende të para. Suksesi I djeshëm sigurisht që është meritë e punës që bëhet në Akademinë e Xhudos Kodokan me president Anton Shkozën, që mbi të gjitha ka meritën e madhe të organizimit të një aktiviteti të tillë me një pjesmarrje kaq të madhe. E nëse ka patur sportistë nga shumë vende të Rajonit, ajo që ka rënë në sy ka qenë sërish mungesa e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Xhudos teksa mosmarrëveshjet në mes tyre dhe ekipeve të Shkodrës duket se vazhdojnë megjithatë e rëndësishme është që turneu I gjashtë ndërkombëtar “Vllaznia 2014” u mbyll me sukses.