Sot në orën 14:00 u luajt edhe ndeshja e kthimit të kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Takimi u mbyll me shifrat 3-0 për Vllazninë, pas 30 minutave shtesë. Ku 90 minutat e rregullta përfunduan me rezultatin 1-0.
“Shkodra Sport” sjell për lexuesit e saj edhe disa të veçanta që iu ftojmë ti lexoni më poshtë.
-Tifozët janë të pakët në shkallët e stadiumit. Loja e dobët e shkodranëve në javët e fundit, por edhe orari i ndeshjes duket se ka ndikuar tek spektatorët shkodranë.
-Fjoart Jonuzi nuk ishte i gatshëm për duelin për shkak të një problemi fizik. Mesfushori preferon ta ndjekë sfidën tek tribuna e gazetarëve.
-Dy vëllezër përballë njëri-tjetrit. Denis Pjeshka titullar tek Flamurtari dhe Paulo Pjeshka në stol për Vllazninë.
-Shumë ekpresiv është Troisi me lëvizjet e tij dhe udhëzimet për skuadrën. Krejt i kundërt Josa që qëndron i qetë përpara pankinës së tij.
-Ka duartrokitje në stadium për Kristi Qarrin. Gardiani shkodran bën një pritje vendimtare përballë sulmuesit Camargo.
-Josa i tërheqë vëmendjen Smajlit që të mbulojë krahin e majtë, ku sulmuesi i Flamurtarit, Souza ishte krejtësisht i lirë.
-Spektakolar Ivan Juriç, mbrojtësi bën një veprim të mrekullueshëm me roveshatë duke dërguar topin në rrjetë. Gjest teknik që vështirë se pritej nga ai.
-Ekipi i Flamurtarit vonon të futet në fushë në pjesën e dytë. Vlonjatët dalin nga dhomat 2-3 minuta pasi Vllaznia ishte tashmë në fushë.
-Ka një polemikë në distancë mes trajnerit Troisi të Flamurtarit me një prej pjesëtarëve të stafit të Vllaznisë. Kjo për shkak të akordimit të një faulli në favor të shkodranëve.
-Mirel Josa nevrikoset nga një gjuajtje e Çobes. Trajneri kërkon llogari pse nuk pasoi për shokët më të lirë dhe tentoi goditjen që ishte për tu harruar.
-Ka pakënaqësi në stadium nga ana e tifozëve shkodranë për lojën që zhvillon Vllaznia. Sportdashësit kërkojnë llogari tek trajneri Josa.
-Një moment paniku në minutën e 75-të, ku Neziri merr një goditje me top në gjoks. Mbrojtësi i djathtë i Flamurtarit duhet të marrë ndihmën e dy stafeve mjekësore për tu kthjelluar.
-“Shpërthen” stoli i Vllaznisë pas një ndërhyrjeje të Nezirit ndaj Males. Tek kuqeblutë duan karton të kuq për lojtarin e vlonjatëve, por gjyqtari akordon vetëm të verdhë.
-Në delir “Loro Boriçi” pasi Aralica shënon golin e dytë me fillimin e 30 minutave të shtesës.
-Ovacione për Malen në momentin kur ky i fundit lë fushën për Pjeshken. Mesfushori ishte padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes.
-Në fund Vllaznia kualifikohet pas 120 minutave të luftuara kundër Flamurtarit. Duke u kualifikuar kështu në turin tjetër të kupës.
Endri ÇINARI