
Një ditë para ndeshjes shumë të rëndësishme me Flamurtarin, askush në kampin shkodran nuk e di se cilët futbollistë do hedh në fushë trajneri Shpëtim Duro. Gjatë kësaj jave ai nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje kontrolli me ekipin ashtu siç ka bërë zakonisht në pragndeshjet e tjera. Në kushte të tilla, me përjashtim të 5-6 futbollistëve që e kanë të sigurtë formacionin, të tjerët janë në mëdyshje. Kështu, në portë dihet padyshim që do jetë Vujadinoviç I cili është I paprekshëm dhe pika më e fortë e ekipit. Në krahun e djathtë të mbrojtjes do jetë si zakonisht Smajli e po ashtu edhe në qendër të mbrojtjes nuk do ketë asnjë ndryshim teksa do luajnë Osmani dhe Beqiri. Në krahun e majtë ka një pikëpyetje se kush do luajë. Në Durrës ndaj Besës në takimin e fundit ka qenë në fushë në këtë pozicion Semina por stafi drejtues kuqeblu nuk ka mbetur shumë I kënaqur nga paraqitja e tij. Nga ana tjetër, kthehet pas skualifikimit me kartona vlonjati Begaj dhe mbase trajneri do shfrytëzojë origjinën e tij ndoshta ngaqë mund të ketë ndonjë gjë për të treguar në fushën e lojës ndaj ish-skuadrës së tij dhe mund të jetë ai titullar në këtë ndeshje. Shumë dilema edhe në mesfushë. I sigurtë është vetëm Dragoi në krahun e djathtë tek I cili ka shumë shpresa por ende ai duket se nuk është rikthyer në formën e tij më të mirë. Në krahun e majtë mund të luajë Hajdari, gjithnjë nëse nuk luan në sulm siç bëri ndaj Besës. Alternativë tjetër në fakt nuk ka për këtë pozicion. Pikëpyetje edhe për dyshen e qendrës së mesfushës. Në tre takimet e fundit kanë luajtur Belisha dhe Dema. Ka patur edhe aktivizime të Tafilit dhe Nallbanit dhe në këtë mënyrë, nuk dihet asgjë sesi do të luhet këtë herë. Malazezi Deliç me shumë siguri do të aktivizohet si sulmues I dytë por ende nuk është shumë e qartë se kush do luajë në sulm. Nëse aktiviziohet kosovari Rexha, ndoshta nuk është zgjidhje e përshtatshme pasi dyshja e qendrës së mbrojtjes vlonjate përbëhet nga dy shtatëlartë si Veliu e Rajoviç dhe në luftë me ta do ishte e vështirë të dilte fitues. Mbase më praktike do jetë aktivizimi I shtatëshkurtërit Hysa që ndoshta mund të depërtojë më kollaj në mbrojtjen kundërshtare. Megjithatë ndaj Hysës kritikat javët e fundit janë shtuar shumë sepse ai nuk po bën asgjë nga ato çfarë kishte premtuar. Në kushte të tilla, ka shumë paqartësi për mënyrën si do të luajë Vllaznia nesër në darkë. Ballafaqimi me Flamurtarin konsiderohet shumë I rëndësishëm edhe për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve në kampionat. Në rast fitoreje ata rihyjnë në garë për vendin e dytë dhe të tretë, në rast të kundërt gjërat do bëhen shumë më të vështira edhe për shkak të kalendarit të vështirë të ndeshjeve të ardhshme. Vllaznia në fakt ka treguar se ndaj skuadrave pretendente këtë sezon nuk ka mundur dot të marrë asnjë fitore teksa është mundur nga Skënderbeu, Teuta e Tirana dhe ka barazuar me Kukësin dhe Besën. A do mundet ta mundë Flamurtarin? Kjo duhet parë pikërisht këtë rradhë, për “t’I vënë vulën” pretendimeve të tyre të mëtejshme.
Gjergj KOLA