Erdhën me bujë për të bërë ndryshimet e pritshme tek Vllaznia, por nuk dhanë atë çfarë duhet. Për këtë arsye, dy nga tre basketbollistët amerikanë të Vllaznisë, janë larguar tashmë nga Shkodra. Bëhet fjalë për Austin Dasent dhe për Michael Hundley. Performanca e tyre nuk ka qenë ajo e duhura dhe për këtë arsye, pas një bisede me presidentin Xhaferi kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me to.
I vetmi që do të vazhdojë të qëndrojë Malik Carter. Por nga ana tjetër, drejtuesit e Vllaznisë nuk do të qëndrojnë pasiv pasi do të tentojnë që dy amerikanët e larguar, t’i zëvendësojnë me lojtarë të tjerë, kryesisht të huaj.
“Në ditët e ardhshme do të mbërrijnë në Shkodër tre lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për dy amerikanë dhe një serb. Ata në fillim do të testohen dhe pasi të bindemi për vlerat e tyre, do të vendosim të firmosim me to. Nuk do të bëjmë të njëjtin gabim siç bëmë me këto basketbollistët e tjerë.
Po ashtu jemi në negociata edhe me disa menaxherë në Mal të Zi, për të gjetur dhe atje lojtarë që do t’i testojmë dhe më pas do t’i marrim tek Vllaznia”- ka thënë për “Shkodra Sport” presidenti i ekipit Alban Xhaferi. Ai sëbashku me drejtorin teknik Halili dhe trajnerin Plantak do të bëjnë çmos për të gjetur lojtarët e duhur.
Gjendja e ekipit aktualisht nuk është e mirë sepse vazhdon të mbajë vendin e fundit në renditje dhe për këtë arsye duhen përforcime në mënyrë që ai të dalë nga ky moment i vështirë.
© shkodrasport.com