Federata Shqiptare e Basketbollit i ka bërë një kërkesë zyrtare ekipit të meshkujve të Vllaznisë për të konfirmuar marrjen pjesë ose jo në edicionin e rradhës të Ligës Ballkanike. Por kërkesa nuk është bërë vetëm për ekipin shkodran. Ajo u ka shkuar edhe 5 ekipeve të tjera pjesmarrëse në kampionatin e ardhshëm dhe pikërisht Teutës, Kamza Basket, Tiranës, Flamurtarit dhe Ardhmërisë. Deri më tani, ende nuk ka asnjë konfirmim pozitiv nga asnjëri ekip, përfshi këtu edhe Vllazninë kampione.

Arsyeja është e thjeshtë: duhen financa. Dhe ato jo vetëm për konfirmimin e pjesmarrjes e cila është një shumë jo e vogël, por më së shumti, për të ndërtuar edhe një ekip dinjitoz për t’u përfaqësuar ashtu si duhet në këtë kompeticion të rëndësishëm. Kuqeblutë morën pjesë edhe dy sezone më parë në Ligën Ballkanike por u larguan prej saj me të gjitha ndeshjet e humbura sepse niveli i ekipeve kundërshtare ishte shumë i lartë. jo do të thotë se duhen jo pak lekë për të ndërtuar një ekip të tillë dhe për momentin ato nuk i kanë asnjë ekip. Madje as Vllaznia e cila gjithsesi duket se ka një shpresë të vogël në këtë drejtim, atë të gjetjes së ndonjë sponsori. Por deri atëherë, asgjë nuk është e sigurtë. Numri maksimal i ekipeve shqiptare që mund të marrin pjesë në këtë aktivitet, është dy dhe Federata kishte projektuar që ato të ishin Vllaznia dhe Teuta, dy ekipet finaliste të sezonit të fundit. Kjo ngaqë, ata kanë edhe sponsorë dhe me ndihmën e tyre mund të bëhej e mundur kjo pjesmarrje. Por shpenzimet që duhen janë të mëdha dhe nuk mund të përballohen prej tyre. Në këto kushte, shkodranët të paktën ende janë në dyshim për një pjesmarrje të tillë. Mbase muajin e ardhshëm mund të ketë një përgjigje përfundimtare për këtë gjë.

© shkodrasport.com