Ditën e djeshme janë zhvilluar ndeshjet e javës së pestë të kampionatit kombëtar të futsallës.
Sipas kalendarit, ndeshjet e kësaj jave janë zhvilluar në qytetin e Vlorë dhe Vllaznia ka patur përballë ekipin e Tiranës.
Duhet theksuar fakti se ekipi shkodran në këtë ndeshje është paraqitur vetëm me 5 lojtarë dhe për shkak të dëmtimeve që kanë patur disa futbollistë por edhe për disa probleme familjare që kanë patur të tjerët.
Si rrjedhojë, gjithë këto mungesa kanë ndikuar në paraqitjen e skuadrës dhe për pasojë ajo është mundur me rezultatin 5-8.
Por, këto problemet e mungesave kanë sjellë një të mirë tek ekipi i Vllaznisë. Në këtë takim ka luajtur gjatë gjithë kohës 17 vjeçari Orgest Shpuza.
Ai jo vetëm ka bërë një paraqitje shumë të mirë por ka qenë edhe autor i katër golave në këtë ndeshje duke treguar një klas të lartë në këtë drejtim.
Golin e pestë dhe të fundit e ka shënuar Brizard Marinaj. Përveç këtyre dy lojtarëve, tre të tjerët që kanë plotësuar formacionin në këtë ndeshje kanë qenë portieri- trajner Bujar Celufaj, Alis Paçrami dhe Andis Fishta.
Pavarësisht kësaj humbje, Vllaznia futsall ka siguruar pjesmarrjen në play off që nis më 31 maj dhe natyrisht që do të synojë trofeun e titullit kampion.
Kjo do të jetë shumë e vështirë sepse ekipet e tjera janë forcuar edhe me lojtarë të huaj ndërkohë që tek ekipi shkodran kjo nuk ka ndodhur.
© shkodrasport.com