Vllaznia pret sot në orën 16:30 Partizanin në duelin që hap edhe fazën e katërt. 90 minutat mes shkodranëve dhe të kuqve mund të vendosin shumë në garën për “Final 4”, ku kuqeblutë duan sigurimin e dy vendeve të para, ndërsa “Demat” ngjitjen në tabelë dhe reagimin në rezultate. Trajneri Tomas Brdariç ka hartuar edhe planin dhe formacionin që do të hedhë në fushë ndaj kryeqytetasve.
Kështu, në portë nga minuta e parë do ta nisë Jukaj, i cili tashmë është titullari i kuqebluve. Në mbrojtje në të djathtë pritet Gurishta dhe në të majtë pritet të jetë titullar Yago.
Kompletojnë këtë repart edhe Stojanoviç dhe Bajrami në qendër. Në mesfushë po ashtu pritet të mos ketë ndryshime me Deliun, Salën dhe Krymin, që pritet të formojnë treshen titullare.
Një opsion mund të jetë edhe Qato, që po fiton ritmin e zakonshëm. Në sulm nga e djathta do të jetë Mala, ndërsa në të majtë ka një balotazh mes Dodajt dhe Çobës, me të parin që duket më i avantazhuar. Për të kompletuar 11- shen kuqeblu do jetë Balaj në majën e sulmit.