Vllaznia nuk do të heqë dorë deri në fund të merkatos për të gjetur një lojtar goli. Ata kanë ditë që janë në kërkim edhe të dy apo tre lojtarëve, ku tekniku Mirsad Jonuz kërkon që të forcohet të paktën me një sulmues. Por kërkesat e tij mësohet se janë për dy të tillë.
“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se kuqeblutë janë në bisedime me futbollistin ganez Latif Amadu. Lojtari që është aktivizuar me ekipin e Teutës mund të jetë i duhuri për kuqeblutë.
Ajo që duket se e mban larg ganezin nga Vllaznia është se drejtuesve të klubit nuk u pëlqen tipi i paqëndrueshëm i lojtarit. Kjo është një nga shkaqet që mund të bëjë që ky interesim të mos shkojë drejt konkretizimit.
Amadu njihet për tipin e tij të paqëndrueshëm. Lojtari 26-vjeçar me një shtat afro 190 cm mund të ishte gjetja e duhur për sulmin, kjo edhe për vetë skemën e lojës që përdor tekniku Jonuz. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse mund të ketë lëvizje të tjera pozitive për një kalim të këtij lojtari te Vllaznia.
Pritshmëritë Vllaznia po zhvillon fazën përgatitore në Ohër. Gjatë këtyre ditëve drejtuesit kanë pritur që me ekipin të bashkohen edhe lojtarë të tjerë, përveç atyre që u bashkuan në momentet e fundit para nisjes. Mirëpo deri tani nuk ka asgjë të re.
Megjithatë, drejtuesit me sa duket nuk e kanë humbur shpresën. Nga sa mësohet, me ekipin gjatë kësaj jave pritet të bashkohet një mesfushor qendre dhe për më tepër një sulmues. Këto dy janë pritshmëritë që drejtuesit duan t’i kenë që këtë javë. Deri në momentin e firmës, drejtuesit kërkojnë të jenë të rezervuar në nxjerrjen e emrave të tyre.