Vllaznia në basketboll për meshkuj ka bërë përgatitjet e fundit për ndeshjen gjysmëfinale të “Play Off” që do ta luaj përballë Tiranës. Skuadra shkodrane të martën ka udhëtuar drejt Tiranës për tu ndeshur atje me këtë ekip. Vllaznia fitoi sfidën e parë në shifrat 78 – 66, takim i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”. Kjo përballje pritet të jetë mjaft interesante e me rivalitet të madh duke qenë se bëhet fjalë për një vend në finale nga ku do të shpallet edhe skuadra kampione e këtij sezoni. Pas fitores në ndeshjen e parë tashmë kuqeblutë kërkojnë që të njëjtin sukses ta përsërisin edhe në përballjen e dytë për të siguruar kështu kualifikimin në finale.
Drejtuesit e Vllaznisë para kësaj sfide janë shprehur se e gjithë vëmendja është e përqendruar tek kjo ndeshje. Takimi i parë ishte më i mirë për Vllazninë. Gjysmën e parë të lojës kuqeblutë u shfaqën më lart se Tirana ndërsa në dy periodat e fundit kundërshtari u rrit pak por Vllaznia arriti ta administrojë takimin. Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale ekipi që drejtohet nga Bledar Gjeçaj kërkon që të njëjtin sukses ashtu si në Shkodër, ta përsërisë sërish. Padyshim që nuk është një mission i lehtë sepse Tirana është një nga skuadrat më të mira por Vllaznia do të kërkojë me ngulm që të mbyllë gjithçka në këtë përballja. Në prag të gjysmëfinales së dytë shkodranët janë në një formë të mirë sportive. Mësohet se nuk ka problem fizike me basketbollistët dhe të gjithë janë të gatshëm për stafin teknik. Në këtë mënyrë trajneri Gjeçaj është i qetë sepse ka grupin e plotë të basketbollistëve, gjë e cila i jep mundësi të këtë disa alternative për ndeshjen e sotme. Në rast të një fitoreje, Vllaznia kualifikohet në finale në të kundërt, nëse e humbin ndeshjen, atëherë dy ekipet do të luajnë sfidën e tretë në Shkodër dhe skuadra fituese automatikisht fiton një vend për në takimin final. Shkodranët edhe pse nuk e kanë aq të lehtë kërkojnë maksimumin nga transferta e Tiranës për të pritur qetësisht 5 sfidat që do të shpallin skuadrën kampione të këtij sezoni.
Senad NIKSHIQI