Atletika shkodrane pas një periudhe “qetësie” pa aktivitete, bëhet gati të marrë pjesë në kampionatet kombëtare të moshave që zhvillohen gjatë muajit prill. Fillisht do jetë kampionati i 12 dhe 15 vjeçarëve dhe pak ditë më vonë edhe ai i 18 vjeçarëve për t’i lënë më pas vendin Kupës së Shqipërisë për të rritur që zhvillohet më 25 prill. Megjithatë vëmendja e trajnerëve shkodranë është e përqendruar fillimisht tek dy kampionatet e para. Ato për moshat 10-12 vjeç dhe 13-15 vjeç do zhvillohen më datë 11 prill. Të parët, paraditen e kësaj dite do konkurojnë moshat më të vogla, për t’i lënë vendin pastaj atyre pak më të rriturve. Vllaznia kuptohet që ka objektivat e zakonshme për të dalë kampione. Këtë gjë e bën të ditur për gazetën tonë online www.shkodrasport.com, një nga trajnerët e këtij ekipi, Albert Marashi që thotë: “Vllaznia ka një traditë të mirë në këtë sport teksa thuajse çdo vit ajo shpallet kampione që nga të rriturit dhe deri tek 12 vjeçarët. Kemi punuar dhe shpresojmë që t’ia arrijmë kësaj gjëje edhe këtë vit”. Edhe trajneri tjetër i Vllaznisë Dorian Tafa do shprehte të njëjtin besim tek suksesi i rradhës duke thënë: “Tek Vllaznia punohet mirë. Ka edhe elementë që premtojnë shumë për të ardhmen dhe për këtë arsye, sigurisht që pretendojmë vend të parë në këto kampionate”. Këto dy trajnerë përmendin edhe emrat e disa prej sportistëve të tyre që kanë pretendime për të zënë vendet e para. Kështu për moshën 10-12 vjeç, spikat Mehdi Çoba që pretendon vendet e para në 50 dhe 100 m, po ashtu edhe Kledian Kepecaj dhe Egli LIvanaj në garën e 600 metrave. Kurse tek 15 vjeçarët,janë emrat e Elton Demës në 1000 metra dhe Reinaldo Gjolajt në 400 metra. Përveç tyre ka edhe sportistë të tjerë që pretendojnë të shpallen kampionë në disiplina të ndryshme duke treguar se Vllaznia sërish do jetë ekipi pretendent për t’u shpallur kampion si ekip në të dy këto grupmoshat.

www.shkodrasport.com